Kosova e nis mirë rrugëtimin drejt “Euro 2024”, nxjerr barazim në Izrael

Kombëtarja e Kosovës e ka nisur me barazim ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Të përzgjedhurit e Alain Giresse morën sonte një pikë nga përballja me Izraelin, rivalin që vlerësohet si një prej rivalëve për dy pozitat e para në grup.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Bloomfield” përfundoi me rezultatin 1:1. Kjo ishte ndeshje e parë në kuadër të Grupit I.

Izraelitët ishin më të mirë në pjesën e parë, por ishin “Dardanët” që shkuan në pushim me epërsi minimale.

Milot Rashica sulmoi portën kundërshtare në minutën e 36-të, teksa topi shkoi në rrjetë pas devijimit të Elazar Dasa, i cili shënoi autogol.

Kosova e nisi shumë më mirë pjesën e dytë dhe ia doli të dyfishonte epërsinë në minutën e 49-të përmes Rashicës.

Megjithatë, goli i sulmuesit vushtrrias u anulua pas rishikimit me VAR, pasi që u pa se ai kishte luajtur me dorë para se të shënonte.

Kombëtarja kosovare vazhdoi të rriste presionin në vazhdim, teksa ishte sërish Rashica që kishte një mundësi të artë për të shënuar në minutën e 93-të, por 26-vjeçari dështonte të shënonte nga afërsia.

Kosova dhe Izraeli ndajnë pozitat dy dhe tre në grup me nga një pikë. Në këtë grup prin Zvicra me tre pikë.

Kosova ndeshjen e radhës e luan më 28 mars, kundër Andorrës, në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Gazeta Express/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share