Kryeministri Albin Kurti, në manifestimin qendror në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, ka thënë se rezistenca e familjes Haradinaj dhe Mehmetaj tregon vendosmërinë e popullit shqiptar për lirinë.
Tutje, Kurti ka thënë se mesazhi që u përçua nga kulla e Gllogjanit ndaj forcave serbe ishte se “nuk mposhtet kulla, nuk gjunjëzohet UÇK-ja”
“Beteja e ashpër e 24 marsit dëshmoi guximin dhe vendosmërinë e familjes Haradinaj dhe popullit tonë në rrugën e nisur drejt çlirimit. Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk mposhtet Kosova. Ky ishte mesazhi që Serbia fashiste e mori nga kulla e bacës Hilmi. Ata mbajtën në këmbë kullën, në këmbë popullin”, tha Kurti.
Kreu i qeverisë kujtoi pozicionet që kishin marrë ushtarët aso kohe në mbrojtje të vendit.
“Të vendosur në katër pozicione, Hilmi Hardinaj së bashku me Mejremen dhe Frashërin. Ramush Haradinaj së bashku me Bujarin, Dauti me Rasimin e Kujtimin dhe Shkëlzeni me Enverin mbajtën në këmbë kullën, mbajtën në këmbë popullin. Në po atë ditë ranë dëshmorë Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj, sakrificën e të cilëve sot e nderojmë dhe e kujtojmë me respektin më të lartë”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Më tej, Kurti tha se familja Haradinaj ia di mirë vlerën lirisë e ushtrisë, teksa shtoi se është familje e dëshmorëve të kombit, me gjeneral nga lufta.
“Ushtria është pjesë e pandashme e kësaj familje. Sot në ushtrinë tonë e kemi Luanin, Toger Luan Haradinaj, i cili me zell e përkushtim i shërben atdheut në uniformën e FSK-së”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Ai ka thënë se si qeveri janë të përkushtuar në forcimin e ushtrisë së Kosovës, FSK-së e cila po ndjek rrugën e UÇK-së.
‘FSK ka ndjekur rrugën e UÇK-së, si pasardhëse e saj. Për 24 muaj, ushtrisë i janë shtuar mbi 1200 ushtarë të rinj, ndërsa në fazën e përzgjedhjes janë mbi 600. Nga viti i kaluar, nuk ka më kufizim në numrin e FSK-së. Fokusi jonë kryesor si qeveri ka qenë dhe është ushtria jonë”.