Zvicër: Një familje e tërë u shua për shkak të teorive konspirative

Të rriturit në një familje që çuan drejt vdekjes familjarët e tyre në Zvicër, e bënë gjithçka të planifikuar, thonë hetuesit. Rasti, që tronditi mbarë Zvicrën, pritet tashmë që të mbyllet. Sipas asaj që raporton BBC, policia ka dalë në konkluzionin se nuk ka pasur ndërhyrje të jashtme dhe se të rriturit, të cilët kishin 2 vjet që ishin zhvendosur nga Franca në Zvicër, nuk kishin lënë asgjë të kuptohej se po konsideronin vetëvrasjen.

4 prej anëtarëve të kësaj familjeje vdiqën më 24 Mars të vitit të shkuar në Montreux. Një vajzë 8 vjeçe, një djalë 15 vjeç, prindërit e tyre dhe motra binjake e nënës së fëmijëve ranë nga kati i 7 i apartamentit ku jetonin. Djali përfundoi në koma, por tashmë është rikuperuar nga dëmtimet e rënda që mori. Hetuesit thonë se ai nuk mban mend asgjë nga ajo ditë.

Hetuesit konkluduan se nuk kishte asnjë shenjë dhune para rënies dhe autopsitë zbuluan se në trupin e viktimave nuk kishte substanca narkotike.

Pas 1 vit hetimesh, autoritetet zvicerane thonë se nëna e familjes dhe motra e saj, ishin të zhytura thellë në teori konspirative dhe të mbijetesës. Pas vdekjeve, policia zbuloi se apartamenti i tyre ishte plot me ushqime, mjekime, materiale higjiene, të ruajtura me kujdes dhe të organizuara. Familja nuk dilte shpesh dhe fëmijët mësonin në shtëpi.

Dy gratë kishin një pikëpamje thellësisht dyshuese ndaj qeverisë dhe autoriteteve lokale, thonë hetuesit, dhe bënë që fëmijët të besonin se bota ishte një vend armiqësor. Pandemia e Covid-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës, ia kishin përforcuar edhe më shumë bindjen. Kërkimet në apartament dhe në pajisjet e tyre elektronike zbuluan se vetëvrasja kolektive ishte planifikuar me kujdes, e madje edhe kishin bërë prova më parë.

Sipas raportit të policisë, të rriturit kishin pritur për momentin e duhur për t’u nisur drejt asaj që ata besonin se do të ishte një botë më e mirë, larg kësaj që e kishin frikë.

Ajo që e bën edhe më tragjike, është fakti se plani u vu në zbatim siç duket pas një vizite të policisë së Montreux në shtëpinë e familjes.

Oficerët kaluan atë mëngjes për t’i kujtuar babait që të shkonte në një takim me autoritetet lokale të edukimit, për të diskutuar mësimin në shtëpi të djalit të tij, pasi nuk iu ishte përgjigjur disa letrave. Ata nuk e lejuan policinë të futej në shtëpi dhe u gjetën të vdekur disa minuta më vonë.

Të martën, autoritetet zvicerane bënë apel për privatësi, për djalin e mbijetuar./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share