2.4 miliardë njerëz mund të përballen me mungesën e ujit në 2050-ën

Gati 2.4 miliardë njerëz në tre dekadat e ardhshme do të përballen me mungesë të ujit dhe kjo do të ndikojë në ekonominë globale

Numri i njerëzve që nuk kanë akses në ujë të pijshëm të sigurt në qytetet në mbarë botën do të dyfishohet deri në vitin 2050.

Një raport i fundit i OKB –së ngre alarmin se një krizë për ujë është e afërt dhe nëse nuk merren masa mund të dalë jashtë kontrollit. Gati 1 miliard njerëz në qytetet në mbarë botën përballen sot me mungesën e ujit dhe numri ka të ngjarë të arrijë midis 1.7 miliardë dhe 2.4 miliardë brenda tre dekadave të ardhshme, sipas Raportit të OKB-së për Zhvillimin Botëror të Ujit.

Kërkesa për ujë parashikohet të rritet me 80% deri në vitin 2050. Mungesa e ujit po bëhet gjithashtu një dukuri më e shpeshtë në zonat rurale, thuhet në raport. Audrey Azoulay, drejtore e përgjithshme e UNESCO-s, agjencia e OKB-së që hartoi raportin, u shpreh se qeveritë duhet të bashkëpunojnë për ujin.

“Ekziston një nevojë urgjente për të krijuar mekanizma të fortë ndërkombëtarë për të parandaluar daljen jashtë kontrollit të krizës globale të ujit. Uji është e ardhmja jonë e përbashkët dhe është thelbësore të veprojmë së bashku për ta ndarë atë në mënyrë të barabartë dhe për ta menaxhuar atë në mënyrë të qëndrueshme”, tha ajo.

Përdorimi i ujit është rritur globalisht me rreth 1% në vit për 40 vitet e fundit dhe kjo do të vazhdojë, e nxitur nga rritja dhe zhvillimi i popullsisë. Rreth një e 10-ta e popullsisë globale jeton në vende ku mungesa e ujit është e madhe.

Ekspertët shprehen se kriza e ujit sapo ka nisur dhe se njerëzit po ndryshojnë të gjithë ciklin hidrologjik global përmes asaj që po i bëhet planetit tokë dhe se kjo është një krizë e trefishtë.

Kjo do të kishte implikime të mëdha për ekonominë globale, për natyrën, për jetën urbane dhe për klimën, por pak qeveri po ndërmarrnin veprime për të ruajtur furnizimin me ujë dhe për të ulur ndotjen, thuhet në raport.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share