Biden përshëndet vendimin e Hagës për Putinin

Presidenti amerikan Joe Biden përshëndet vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, që të Premten lëshoi një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj kreut të shtetit rus Vladimir Putin, me akuza për krime lufte në Ukrainë.

Gjykata me seli në Hagë akuzon Putinin dhe komisioneren presidenciale ruse për të drejtat e fëmijëve Maria Lvova-Bellova për dëbim të paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi, pas nisjes së luftës.

Megjithatë, nënkryetari i Këshillit rus për Sigurinë Dmitri Medvedjev shkroi në Tuiter se kjo letër dihej se ku duhej të përdorej, duke e shoqëruar mesazhin me simbolin e letrës higjienike.

Analistët thonë se shanset janë shumë të pakta që Putin të arrestohet. Rusia, ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk kanë marrëveshje me këtë gjykatë, ndaj dhe autoritetet vendase nuk janë të detyruara të veprojnë.

Për më tepër, nuk ka ndodhur të arrestohet një drejtues shteti në detyrë me urdhër të kësaj gjykate. Megjithatë, ky është një mesazh se asnjë udhëheqës nuk prevalon mbi të drejtat dhe liritë e njeriut. Vendimi po ashtu dëmton rëndë besueshmërinë dhe pozitat ndërkombëtare të Rusisë mes sulmit në Ukrainë.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share