Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha në mbledhjen e bordit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) se shpreson që deri në fund të vitit të mund ta vizitojë Kosovën, raporton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).
Në këtë takim, Vuçiq tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se nuk do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse nuk është në përputhje me ligjet e Kosovës.
“Ne po përgatitemi për bisedime të hënën dhe të martën, dhe pas kësaj do të shkojmë në Ohër. Më besoni se nuk e kam të qartë se për çfarë të flasim atje”, tha ai.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojë Beogradin më 13 dhe 14 mars.
Lajçak ka qëndruar në Kosovë më 9 dhe 10 mars. Fillimisht ai takoi presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit me Lajçakun, Kurti, u shpreh i gatshëm që më 18 mars në Ohër ta nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Më 10 mars, ai zhvilloi bisedime me partitë opozitare në Kosovë dhe përfaqësues të Listës Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, rreth propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij dyditore është që të dëgjojë qëndrimin e Kosovës lidhur me propozimin evropian për normalizim, për të cilin palët u pajtuan gjatë takimit të 27 shkurtit, në mënyrë që në takimin e radhës në Ohër, palët të mund të bëjnë hapin e radhës, atë të finalizimit të marrëveshjes. Tani, BE-ja po punon me palët në planin e zbatimit të këtij propozimi.
Propozimi përbëhet nga 11 nene. Aty nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata për arritjen e normalizimit të plotë të raporteve nën ndërmjetësimin e BE-së. /rel