Gjermania dhe NATO me mesazhe të forta për dialogun Kosovë-Serbi

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se plani i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi është i mirë dhe duhet të zbatohet nga të dyja palët. Ai ka deklaruar se në dialog është bërë përparim i madh dhe se gëzohet për rezultatet konstruktive që do të arrihen.

Dje, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Berlin, Scholz në konferencë të përbashkët për media, ka thënë se pret që plani evropian për dialogun Kosovë-Serbi të përfundojë së shpejti dhe me sukses.

“Kemi të bëjmë me një propozim shumë të peshuar të Gjermanisë dhe Francës dhe që mbështetët nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që e gjeti pasqyrimin e tij edhe në vendimet e Këshillit Evropian në Bruksel. Në këtë kuadër unë besoj se ky proces do të përfundojë së shpejti me sukses… Mendoj se janë bërë përparime të mëdha, po të shikosh deklaratat publike të Vuçiqiq dhe Kurtit, ky është një përparim. Mendoj se ky është një plan që mund të zbatohet dhe duhet të realizohet. Prandaj unë jam i gëzuar kur ne arrijmë rezultatet konstruktive dhe të mira. Ndjesia ime është se tani mund të bëhet realitet ajo që deri tani nuk ishte e mundur. Do të ishte e mirë për zhvillimin e rajonit dhe Kosovës dhe Serbinë”, ka thënë ai.

Mbështetje absolute këtij plani i dha edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Shqipëria, qeveria jonë dhe unë personalisht e mbështesim fuqimisht planin e paqes dhe të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështrimin tonë është një plan absolutisht shumë përmbajtjesor dhe realist, i cili sjell normalizimin e nevojshëm dhe shumë pritur që dy palët duhet të trajtojnë jo vetëm me seriozitetin maksimal, por edhe gjithë kurajën e domosdoshme”, ka thënë ai.

Deklarata të forta sa i përket dialogu Kosovës-Serbi dha edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit në Bruksel me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Stoltenberg tha se mirëpret qasjen konstruktive nga Kosova dhe Serbia në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe theksoi se tani është një “rast historik” për të arritur paqe të qëndrueshme.

“Ne bashkëpunojmë me Bashkimin Evropian dhe mirëpresim takimet në Bruksel në kuadër të dialogut. NATO do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm këtë dialog sepse e shohim si rrugën e vetme të duhur për paqe dhe stabilitet në Kosovë. Kemi një rast historik për paqe të qëndrueshme dhe mirëpres qasjen konstruktive. Është me rëndësi që të dyja palët të dëshmojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. Secila zgjidhje duhet të ketë parasysh të drejtat e njeriut, fqinjësisë së mirë dhe sundimit të ligjit”, tha shefi i NATO-s.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar më 27 shkurt në Bruksel, ku, sipas ndërmjetësit të dialogut, Josep Borrell, palët janë pajtuar për propozimin e BE-së për dialogun, i cili përmban 11 nene.

Takimi i radhës ku diskutohet sërish për marrëveshjen dhe aneksin e zbatimit të saj pritet të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share