Dënohet me 15 vjet burg Sviatlana Tsikhanouskaya

Udheheqësja e opozitës bjelloruse ka deklaruar se situata në Bjellorusi kërkon vëmendje ndërkombëtare

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya u dënua në mungesë me 15 vjet burg për tradhti dhe “komplot për të marrë pushtetin”, një vendim që ajo tha se ishte ndëshkim për përpjekjet e saj për të promovuar demokracinë.

Tsikhanouskaya një ish-mësuese e anglishtes, iku në Lituani në vitin 2020, pasi kandidoi kundër liderit aktual Alexander Lukashenko në zgjedhjet presidenciale, rezultatet zyrtare të të cilave treguan se Lukashenko fitoi epërsinë.

Ajo dhe opozita në atë kohë u shprehën se rezultatet ishin manipuluar për t’i dhënë fitoren Lukashenkos. Më pas shpërthyen protesta masive kundër presidentit bjellorus, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, të cilat forcat e tij të sigurisë i shtypën, duke i arrestuar kundërshtarët e tij ose duke i detyruar ata të largohen nga vendi.

Autoritetet në Janar akuzuan atë dhe figura të tjera të opozitës për përpjekje për të kapur pushtetin në një mënyrë jokushtetuese.

“Por, sot nuk mendoj për dënimin tim. Mendoj për mijëra të pafajshëm, të burgosur dhe të dënuar me burgime të përjetshme dhe të rreme. Nuk do të ndalem derisa secili prej tyre të lirohet. Situata në Bjellorusi kërkon vëmendje të menjëhershme ndërkombëtare. Protestuesit paqësorë ndalohen në mënyrë të paligjshme, dhunohen dhe përdhunohen. Disa prej tyre janë gjetur edhe të vdekur.

E njëjta gjykatë i dha një dënim me 18 vjet burg Pavel Latushkos, një anëtar i shquar i Këshillit të opozitës bjelloruse, dhe 12 vjet burg për tre aktivistë të tjerë të dënuar si pjesë e të njëjtit komplot. Aktivistët e të drejtave vlerësojnë se rreth 1,500 njerëz janë në burg në Bjellorusi me akuza të motivuara politikisht.”

Burri i Tsikhanouskaya, Syarhei, po vuan një dënim me 18 vjet burg pasi u shpall fajtor në vitin 2021 për organizimin e trazirave masive në një vendim që ajo tha se ishte hakmarrje politike dhe pjesë e një goditjeje nga Lukashenko ndaj kujtdo që ai e shihte si kërcënim.

Ndërkaq javën e kaluar fituesi i çmimit Nobel për Paqe dhe aktivisti për të drejtat e njeriut Ales Bialiatski u dënua me 10 vjet burg nga një gjykatë në Minsk për mashtrim financiar dhe organizim të protestave të paligjshme. Lukashenko, në pushtet që nga viti 1994, ka akuzuar Perëndimin se po përpiqet të destabilizojë Bjellorusinë dhe ka premtuar se do të godasë ashpër çdo përpjekje të re për të sfiduar sundimin e tij.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share