Kovaçevski: Jemi të gatshëm të bisedojmë me të gjitha partitë që e mbështesin rrugën evropiane

Pas zgjedhjes së zëvendësministrave do të kompletohet përbërja krejtësisht e re e Qeverisë, por para të gjithëve do të hapet një obligim serioz – të marrim vendime të pjekura që do të sigurojnë perspektivat e vendit, theksoi para deputetëv kryeministriDimitar Kovaçevski si propozues i zëvendësministrave në Qeverinë e tij.

“Nëse kjo kërkon një rritje të shumicës – atëherë do të flasim me të gjithë. Qeveria është e hapur për bashkëpunim në të ardhmen me të gjithë ata që janë të gatshëm të veprojnë me ndërgjegje dhe të mbështesin reformat, politikat ekonomike dhe agjendën evropiane, në të mirë të qytetarëve dhe shtetit, tha ndër të tjera Kovaçevski.

Sipas tij, është forcuar stabiliteti politik dhe është hapur rruga për rritjen e efikasitetit të Kuvendit dhe të institucioneve, në drejtim të realizimit pa probleme të synimeve kyçe strategjike.

“Por, Lidhja për Evropën dhe grumbullimi i shumicës pro-evropiane në Parlament është i domosdoshëm në emër të reformave të mëtejshme dhe të ardhmes evropiane të qytetarëve dhe shtetit. Qytetarët i kanë dhënë këtij Parlamenti një mandat të saktë për një cilësi evropiane të jetës në shtëpi dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Kështu është formuar Qeveria pro-evropiane dhe kështu punojmë sipas kursit evropian të shtetit”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se është e nevojshme që Parlamenti të jetë kritik, por jo frenues i reformave dhe të përfaqësojë standardet strategjike të vendit, jo planet strategjike për qëllime personale apo të tjera të jashtme.

Duke e sqaruar propozimin e tij, kryeministri Kovaçevski nga foltorja e Kuvendit theksoi se me zgjedhjen e zëvendësministrave të rinj përfundon rikonstruimi i Qeverisë, që do të vazhdojë të zbatojë reforma në interes të qytetarëve në rrugën evropiane.

Ai falënderoi, siç tha, shumicën parlamentare progresive për mbështetjen, e cila konfirmoi se në këtë përbërje të Kuvendit ka një kapacitet dominues të shumicës progresive me potencial që një shumicë e tillë të rritet.

“Nëse i jepet mundësi ndërgjegjes, besoj se kjo përbërje parlamentare ka një kapacitet edhe më të madh progresiv, me të cilin së bashku mund të sigurojmë perspektivë evropiane, që nënkupton zhvillimin ekonomik të shtetit dhe standardin jetësor të qytetarëve”, tha Kovaçevski.

Debati për rikonstruimin e Qeverisë ka filluar para tri javësh dhe sipas Kovaçevskit paraqet mundësi që qytetarët ta shohin, por edhe të gjithë të vënë në dyshim se çfarë përfaqëson ai në të vërtetë.

“A përfaqëson stabilitetin e shtetit, sigurinë në ekonomi dhe në standardin e jetesës së qytetarëve, sigurinë – apo jostabilitetin e vendit, paparashikueshmërinë, çrregullimin, standardet evropiane – apo paligjshmërinë, një shtet të izoluar ndërkombëtarisht – apo Republikë e integruar evropiane e Maqedonisë së Veriut”, tha Kovaçevski.

Sipas kryeministrit, ka ardhur momenti kur të gjitha institucionet në vend duhet të tregojnë orientimin e tyre pro-evropian, ndërsa në plan të parë është Parlamenti.

“Dhe prandaj them se ky debat maratonë, në të cilin është shndërruar zgjedhja e ministrave dhe zëvendësministrave të rinj, është një shans i shkëlqyer që qytetarët ta shohin dhe për këdo që nuk përfaqëson vlerat dhe përfitimet evropiane të mendojë pse është kundër pagave dhe pensioneve më të larta, më shumë investime, parashikueshmërisë në prodhimin e ushqimit dhe energjisë, vendeve të reja të punës. Pse e shqetësojnë institucionet që punojnë sipas rregullave evropiane me ligj dhe rend, me luftë efektive kundër korrupsionit dhe luftë kundër nepotizmit”, tha Kovaçevski.

Kryeministri pyeti pse do të vinte në dyshim partneritetin evropian dhe perspektivat evropiane në vend, për interesat e të cilëve, të tijat, apo të politikanëve që duan të shpëtojnë karrierën e tyre politike apo të politikanëve të paguar nga vendet e treta që po provokojnë një luftë të re botërore.

Kovaçevski, ndër të tjera, para deputetëve foli për të arriturat e kësaj Qeverie në planin ekonomik në gjendje krize dhe për hapjen e negociatave me BE-në.

Kryeministri paralajmëroi se para nesh është një periudhë jashtëzakonisht e rëndësishme që kërkon sjellje të përgjegjshme dhe vendime racionale, duke theksuar se të gjithë hapat që do të ndërmarrë qeveria janë dhe do të jenë në funksion të përparimit të shtetit dhe të ardhmes së mirë të qytetarëve.

“Do të marrim vendime transparente, të guximshme dhe të mençura, sepse nuk ka nder më të madh se mbrojtja dhe arritja e vlerave”, tha Kovaçevski.

Kuvendi debaton pëe zgjidhjen e zëvendësve të rinj, janë paraqitur për të folur 36 deputetë. Të propozuar janë Tiron Jajaga për Mbrojtje, Viktorija Avramovska Madiq për Drejtësi, Vjolca Berisha për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave, Maja Manoleva për Shëndetësi dhe Agim Nuhiu për Arsim, Shkencë dhe Sport.

Kuvendi paraprakisht në kuadër të seancës së 104-të me 62 vota “për” dhe asnjë kundër apo abstenim i shkarkoi zëvendësministrat e Mbrojtjes Bashkim Asani, për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave, Abdulshuqur Abedini dhe për Arsim dhe Shkencë, Lulzim Aliu.

Para tre javësh filloi seanca e 104-të parlamentare për rikonstruimin e Qeverisë. Ministrat e rinj në qeverinë e Kovaçevskit nga ASH dhe LSDM u zgjodhën të hënën para mesnatës

Lexo gjithashtu
Total
0
Share