Gjermania paralajmëron Izraelin për dënimin me vdekje

Gjermania ka paralajmëruar Izraelin se “do të ishte gabim i madh” shqiptimi i dënimit me vdekje për ata që gjenden fajtorë për vrasjen e qytetarëve izraelitë. Ky reagim i Berlinit erdhi pasi një komitet ministror i Izraelit mbështeti idenë që shteti të zbatohet dënimin me vdekje.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, pas bisedimeve në Berlin me homologun e saj izraelit, Eli Cohen, tha se “ne e shohim veçanërisht shqetësuese planin për të zbatuar” ndëshkimin kapital. “Ne jemi kundër dënimit me vdekje dhe ne po e ngremë këtë çështje në mbarë botën”, tha ajo gjatë konferencës të përbashkët për media me Cohen.

Të dielën, komiteti ministror izraelit për legjislacion mbështeti një projektligj që synon që dënimi me vdekje të zbatohet. Ky vendim është pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeverisës të arritur midis kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe partnerëve të tij politikë të ekstremit të djathtë.

Në projektligj thuhet se kushdo që vret një qytetar izraelit “për shkak të racizmit apo armiqësisë… dhe synon të dëmtojë shtetin e Izraelit dhe rivendosjen e popullit hebre në tokën e tyre, duhet të dënohet me vdekje dhe vetëm me këtë dënim”. Baerbock theksoi se gjermanët mësojnë në shkollë se Izraeli – edhe pse “i kërcënuar si asnjë shtet tjetër nga terrorizmi” – nuk ka kryer asnjë ekzekutim që nga viti 1962, kur ishte varur krimineli nazist i luftës, Adolf Eichmann.

“Ky ka qenë gjithmonë një argument mbresëlënës për ne që e kemi mbrojtur Izraelin në skenën ndërkombëtare kundër kritikave të padrejta”, tha ajo. “Jam e bindur se do të ishte një gabim i madh që do të shkëputeshim nga kjo histori”, shtoi kryediplomatja gjermane.

Edhe në të kaluarën ka pasur tentativa për të kaluar projektligje të ngjashme, edhe pse projektligji i fundit dallon, pasi aty përfshihet dënimi i detyrueshëm me vdekje. Megjithatë, projektligji ka pak të ngjarë të kalojë, pasi partitë ultra-ortodokse të koalicionit qeverisës izraelit pritet të votojnë kundër për arsye fetare.

Izraeli ka larguar dënimin me vdekje në gjykatat civile më 1954, edhe pse teorikisht ky dënim mund të shqiptohet për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, genocidit, tradhtisë dhe krimeve kundër popullit hebre. Izraelitët për javë të tëra kanë organizuar protesta masive kundër reformave ligjore të prezantuara nga Qeveria, që kritikët i kanë parë si kërcënim për demokracinë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka argumentuar se reformat e fundit janë kyçe në rivendosjen e balancës në mes të degëve të Qeverisë./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share