Sipas Kinës, ndalimi i përdorimit të aplikacionit TikTok pasqyron pasigurinë e SHBA-së

Ndalesa e qeverisë amerikane për përdorimin e aplikacionit të famshëm TikTok në pajisjet e agjencive federale të vendit zbulon të gjitha pasiguritë e Uashingtonit dhe është keqpëdorim me fuqinë shtetërore, tha sot zëdhënësja e Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Mao Ning.

“Qeveria amerikane e ka zgjeruar shumë konceptin e sigurisë kombëtare dhe ka keqpërdorur fuqinë shtetërore për të shtypur kompanitë e vendeve të tjera. Sa e pasigurt është SHBA-ja, superfuqia më e madhe në botë, kur ka frikë nga një aplikacion që e adhurojnë të rinjtë”, tha Mao.

Agjencitë federale amerikane kanë 30 ditë për të siguruar që aplikacioni TikTok të mos instalohet më në pajisjet e tyre, njoftoi mbrëmë Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë.

Anëtarët e Kongresit amerikan e konsiderojnë aplikacionin, i cili është në pronësi të kompanisë kineze “ByteDance”, si  kërcënim për sigurinë kombëtare dhe në dhjetor votuan për të ndaluar përdorimin e tij në pajisjet e punonjësve të tyre.

Me më shumë se një miliard përdorues aktivë në mbarë botën, TikTok është platforma e gjashtë sociale më e përdorur, sipas raportit të fundit të “We Are Social”, i cili ndjek zhvillimin e sektorit digjital, të publikuar në janar.

Aplikacioni i famshëm për shpërndarjen e videove përdoret nga dy të tretat e adoleshentëve amerikanë, por Uashingtoni ka frikë se Kina mund të përdorë fuqitë e saj ligjore dhe rregullatore për të marrë të dhëna private të përdoruesve ose për të nxitur përmbajtje të favorizuara nga Pekini.

Ndalesa e qeverisë federale amerikane vjen disa ditë pas një vendimi të ngjashëm nga Komisioni Evropian, i cili ndaloi aplikacionin TikTok për stafin e tij për të “mbrojtur” institucionin.

Qeveria kanadeze gjithashtu njoftoi dje se do të ndalojë TikTok nga pajisjet celulare që ofron për stafin e saj, duke përmendur “nivelin e papranueshëm të rrezikut” për privatësinë dhe sigurinë.

Nga ana tjetër, Kina tashmë një kohë të gjatë i ka Jutjubin, Tuiterin, Fejsbukun dhe Instagramin në listën e saj të gjatë të platformave sociale të huaja të bllokuara dhe aplikacioneve për shkëmbim të mesazheve.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share