NGA 2 DERI 5 MARS KAMPIONATI EVROPIAN NË SALLA TË MBYLLURA
Kampionati Evropian i Atletikës në salla të mbyllura do të mbahet nga data 2 deri më 5 mars në arenën “Atakoy” në Stamboll të Turqisë, për herë të parë pas organizimit të suksesshëm të Kampionatit Botëror të Atletikës në vitin 2012. Në këtë kampionat evropian pritet të marrin pjesë mbi 600 atletë nga 51 vende evropiane .
Maqedonia e Veriut kampionatin Evropian do të prezantohet me dy atletët më të mirët në vend Dario Ivanovski në disiplinën 3.000 metra dhe Drita Islami, në 400 metra.
Para nisjes për në Turqi, atletja Drita Islami, për Klan Maqedoni deklaroi se është maksimalisht e përgatitur.
“Realisht jam shumë e përgatitur, duke pasur parasysh se para dy jave theva rekordin po në këtë disiplinë në 400 metra, rekordin në salla të mbyllura, që po ashtu e mbaja unë nga viti 2020 kur e shënova për herë të parë. Fillimisht ky rekord ka qenë 40 vite i vjetër, pastaj e theva në vitin 2020, pastaj vijoi ajo koha e pandemisë dhe nuk lejoheshin garat në salla të mbyllura, kështu që mu deshën tre vite të rikthehem dhe ta përmirësoj përsëri këtë rekord” – tha Drita Islam, atlete e reprezentacionit.
Përkundër formës shumë të mirë, Drita Islami është e vetëdishme se për shkak të konkrencës së fortë, gjasat për medalje janë shumë të vogla .
“Jo, të jem e sinqertë jo, është shumë e vështirë të hysh në grupin e medaljeve. Po siç e ceka në këtë kampionat Evropian dua ta bëj më shpejtë se 55 sekonda, është qëllimi im, edhe të jem e përgatitur për 54 sekonda, kështu që do të shohim” – deklaroi Drita Islami.
Ekspedita katëranëtarëshe e reprezentacionit sot ka udhëtuar për në Stamboll, ndërsa Drita Islami në gara do të paraqitet të shtunën më 3 mars nga ora 9 e 50, kurse Dario Ivanovski, garat I nis më 2 mars në ora 20 e 30. Garat do të zhvillohen në “Atakoy Arena” që ka kapacitet për shtatë mijë spektatorë dhe 500 vende për gazetarë. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Shaban Sinani