Mbytja e anijes në Itali, e mbijetuara: 20 persona i hodhën në det

Dëshmi rrëqethëse janë bërë publike nga disa prej të mbijeturëve që ishin në bordin e anijes e cila u mbyt pranë Steccato di Cutro, një vendpushim bregdetar në bregun lindor të Kalabrisë.

Rreth 60 emigrantë të mbijetuar të sjellë në qendrën e pritjes së Isola Capo Rizzuto vajtojnë personat e tyre të dashur të cilët humbën jetën në det. Një prej të mbijetuarëve tregon tmerrin sesi kontabandistët çuan në vdekjen e personave që ishin të pranishëm në varkë.

“Ishte errësirë, duhet të ketë qenë ora rreth pesë e mëngjesit. Papritur kontrabandistët, gjithsej katër, ndërsa ishim pesëqind metra larg bregut, panë drita që ndriçonin errësirën lart. Ata u trembën, menduan se po i priste policia. Kështu ata ndryshuan kurs për të zbritur diku tjetër. Edhe për të lehëtësuar peshën ata hodhën emigrantët në det i cili ishte i trazuar për shkak edhe të motit të keq. Se sa persona u hodhën nga kriminelët ende nuk dihet, kjo është tragjike vërtet”, u shpreh njëra prej të mbijetuarve.

Autoritetet italiane kanë arrestuar një shtetas turk, ndërsa një mjet identifikimi i një tjetër personi është gjetur në breg por policia ende nuk e ka gjurmuar pasi mund të jetë në mesin e viktimave.

Incidenti rihapi një debat mbi migracionin në Evropë dhe Itali, ku ligjet e reja të ashpra të qeverisë së djathtë për organizatat bamirëse të shpëtimit të emigrantëve kanë tërhequr kritika nga Kombet e Bashkuara dhe të tjerë.

“Trishtim i thellë për jetët e shumta njerëzore të prera në mes nga trafikantët e qenieve njerëzore. Veprimet e atyre që spekulojnë për këta të vdekur sot, kanë lartësuar iluzionin e një emigracioni pa rregulla. Qeveria është e angazhuar për të parandaluar kryerjen e këtyre tragjedive në radhë të parë duke kërkuar bashkëpunimin maksimal nga shtetet e origjinës,” u shpreh Kryeministrja Giorgia Meloni .

Presidenti i rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto ka shprehur gjithashtu indinjatën e tij ndaj BE.

“Çfarë ka bërë Bashkimi Evropian gjatë gjithë këtyre viteve? Ku është Evropa që duhet të garantojë sigurinë dhe ligjshmërinë? Çfarë ndodhi me operacionet e dialogut me vendet e origjinës së emigrantëve?” dhe këto pyetje që unë bëj ende e kësaj dite nuk kanë përgjigje por vetëm një numër në rritje të atyre që humbën jetën në det”, shprehet Occhiuto.

Emigrantët vinin nga Iraku, Irani, Afganistani dhe Siria. Ishte një nga udhëtimet e shumta mes shpresës për një jetë më të mirë në Europë. Anija u nis nga porti perëndimor turk i Izmirit rreth katër ditë më parë dhe u pa rreth 74 km nga bregu italian nga një aeroplan i drejtuar nga agjencia kufitare e Bashkimit Evropian Frontex.

Sipas disa të mbijetuarve në bordin e anijes bësohet se ishin rreth 250 emigrantë, ku mes tyre kanë humbur jetën 12 fëmijë, ndërsa numri i të vdekurëve deri më tani sipas raporteve paraprake është 59. Nga fillimi i këtij viti në Itali kanë zbritur 14,104 emigrantë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme që përditësohen çdo ditë. Në të njëjtën periudhë të vitit 2022 ishin 5,345 ndërsa këtë vit është shënuar një rritje me 164%.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share