Një deputete në Asamblenë Kombëtare të Ekuadorit e quajtur Viviana Veloz ka denoncuar se ajo dhe këshilltari i saj kanë marrë kërcënime me vdekje në fundjavë nga mafia shqiptare.
Këto janë pretendimet e Veloz, e cila është edhe kryetare e komisionit për rastin “Kumbari i Madh”. Sipas deputetes qëllimi i kërcënimeve është parandalimi i ecurisë së hetimeve për korrupsionin e dyshuar në qeveri në kuadër të çështjes “Encuentro” si dhe parandalimi i raportimit të policisë për lidhjet e dyshuara mes trafikut të drogës dhe mafias shqiptare.
Të hënën gjatë një seance virtuale të komisionit që ajo drejton, Veloz bëri të ditur se çfarë i ka ndodhur. Ajo tregoi një foto në celularin e saj dhe tha se të dielën në makinën e këshilltarit të saj, Christian Gonzales, ishte lënë një shënim me logon e flamurit shqiptar dhe me fjalën në gjuhën shqipe “i vdekur”.
Shënimi ishte vendosur teksa mjeti qëndronte i parkuar në një universitet në Quito. Deputetja raportoi se ka marrë edhe mesazhe kërcënuese në llogarinë e saj në Instagram.
“Kërcënime me vdekje dhe se ata do t’i bëjnë atentat prindërve dhe familjes sime nëse nuk ndaloj hetimin e çështjes Encuentro dhe hetimin e raportit të madh. Madje brenda atij mesazhi më kanë dërguar edhe udhëzime se duhet, sipas tyre, ta ndjek në ditë dhe kohë të caktuara”, tha ajo.
Veloz bëri fajtore qeverinë për ato që mund t’i ndodhin asaj, kolegëve dhe familjarëve të afërt. Për këtë tha se do të shkojë në prokurori.
“Nëse forca në pushtet nuk është bashkuar me mafian, atëherë pse ata duhet të na kërcënojnë me vdekje”, tha ajo.
Më tej ajo shtoi se të premten në mëngjes një deputet në komision, emrin e të cilit nuk e zbuloi, e paralajmëroi që të mos ngatërrohet me mafian dhe se ata do t’i dërgonin një mesazh.
“Sigurisht është korrieri i mafias sepse menjëherë të dielën kishte disa karta me logon e tyre në makinën e këshilltarit tim”, tha deputetja, e cila paralajmëroi se emrin e parlamentarit që bëri paralajmërimin do ta çojë në zyrën e prokurorit.
Veloz tha se po e bën publik rastin sepse ndoshta të tjerë anëtarë të asamblesë mund të jenë kërcënuar. Po ashtu, pohoi se hetimi për çështjen në fjalë do të vazhdojë./tvklan.al