Tenisti serb Novak Djokoviq ka shkruar një tjetër faqe të rëndësishme të historisë së tenisit dhe karrierës së tij. Numri 1 në botë për meshkuj ka arritur një tjetër rekord, atë që mbahej nga ikona e tenisit Steffi Graf. Dy tenistët tashmë mbajnë të njëjtin numër javësh në krye të renditjes botërore 377 javë.
Asnjë tenist tjetër nuk ka qëndruar në krye të renditjes botërore më shumë se Graf e Djokoviq, me serbin që javën e ardhshme mund ta thyejë këtë rekord dhe ta mbajë atë tërësisht për vete. Te meshkujt, serbi është prej kohësh në krye të kësaj renditje, teksa në vendin e dytë, me 310 javë, ndodhet Federer.
Djokoviq ruan për momentin kreun e renditjes botërore me 6.980 pikë, 500 pikë më shumë se vendi i dytë, ku ndodhet spanjolli Carlos Alcaraz. Ky i fundit ka mundësi ta barazojë serbin në rast se fiton këtë javë turneun e Buenos Aires dhe në rast se kjo gjë ndodh, atëherë të hënën e ardhshme do të kemi dy tenistë në vendin e parë me pikë të barabarta. Si kurrë më parë!