Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, ka zhvilluar sot takim me Vadim Krasnoselski, liderin e Transnistrisë dhe Kryenegociatorin e tyre politik, Vitali Ignjatiev. Transnistria është një shtet i vetëshpallur në kufirin lindor të Moldavisë me Ukrainën.
Siç njofton MPJ-ja, fokusi i diskutimit në këto takime ishte iniciativa e OSBE-së për të inkurajuar negociata më thelbësore ndërmjet Qeverisë së Moldavisë dhe autoriteteve të Transnistrisë. Osmani theksoi se për OSBE-në është e një rëndësie të madhe që palët të zgjedhin rrugën paqësore për zgjidhjen e sfidave, duke pasur parasysh se në të gjitha këto ndikim të madh ka agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër Ukrainës. Kryesuesi i Organizatës theksoi se do t’i kushtojë vëmendje të veçantë dimensionit njerëzor të procesit dhe do të ofrojë mbështetje mbi të gjitha për njerëzit.
“E vlerësoj atë që qysh nga fillimi i luftës në Ukrainë, ju keni përsëritur në shumë raste se Transnistria është e përkushtuar ndaj paqes. Këto pikëpamje tuajat janë shumë të rëndësishme për stabilitetin dhe paqen në rajon. Kryesimi ynë mbetet i përkushtuar për t’u ndihmuar palëve në gjetjen e zgjidhjeve praktike për të tejkaluar sfidat dhe për të parandaluar kthimin e procesit prapa. Besoj se do të këmbëngulni në të për të mirën e qytetarëve të të dyja palëve”, theksoi Osmani në takim.
Në takim ai theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme të intensifikohet ndërveprimi me të dy negociuesit kryesorë dhe ekspertët nga grupet e punës, duke iu referuar mbështetjes nga Misioni i OSBE-së në Moldavi, i cili ka rol kyç në ruajtjen e dialogut politik të udhëhequr nga OSBE-ja dhe përpjekjet e Përfaqësuesit Special për zgjidhjen e problemit me Transnistrinë, Ambasadorit Tomas Majr-Harting.
Qëllimi kryesor i Organizatës, siç theksoi Osmani gjatë takimeve, është që të dyja palët të zbatojnë kornizën e dakorduar në 8 fusha. Ai theksoi se edhe pse procesi 5+2 është pezulluar, ky mbetet i vetmi format formal, i dakorduar reciprokisht i negociatave. “E mbështes idenë për të gjetur një mënyrë për të vazhduar bisedimet formale apo joformale 5+2, për ta mbajtur procesin në rrugën e duhur”, tha Osmani.
Kryesuesi i Organizatës theksoi se OSBE-ja do të përdorë të gjitha mekanizmat dhe mjetet e saj për të lehtësuar negociatat ndërmjet dy palëve, duke theksuar se Përfaqësuesi Special për Transnistrinë në koordinim me Misionin në terren të OSBE-së në Moldavi do të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të gjetur mënyra që të çojnë proceset përpara.
“Të dyja palët duhet të ndërtojnë besimin para së gjithash, sepse kjo është e nevojshme për të ecur përpara drejt zgjidhjes së çështjeve më komplekse. Dëshiroj të theksoj rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut në përputhje me parimet dhe angazhimet e OSBE-së, sepse këto të drejta paraqesin shtyllat themelore të çdo shoqërie demokratike”, theksoi Osmani.