Tym e flakë, publikohen pamjet e shpërthimit me tritol në hotelin “Bizantin” në Sarandë (VIDEO)

Këto janë pamjet e hedhjes në erë me tritol të hotelit “Bizantin” në Sarandë në orët e para të mëngjesit.

Në videon e siguruar nga gazetari i Klan News Besar Bajraktari, duket shpërthimi i fuqishëm që ka ndodhur në orën 05:52 minuta të mëngjesit të së hënës.

Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, por dëme të shumta materiale. Shpërthimi me lëndë eksplozive ka rrafshuar të gjithë hotelin 2-katësh në lagjen Nr.1 të qytetit bregdetar.

Dëme janë shkaktuar edhe në bizneset dhe pallatet e tjera që ndodhen afër zonës.

Sasia e lëndës plasëse nuk është përcaktuar ende nga ekspertët, por ka qenë e konsiderueshme duke gjykuar mbi shkallën e dëmtimit që ka shkaktuar.

Hetuesit dyshojnë se ngjarja ka ndodhur për shkak të konflikteve të pronësisë. Biznesi është në pronësi të Spiro Çabirit dhe Evangjeli Dhimitrit, të cilët janë në proces që prej vitit 2002. Hoteli ishte ndërtuar në vitin 1996 dhe ishte funksional vetëm gjatë sezonit veror.

Ndërkohë, banorët e Sarandës thonë se ndjenë zhurmë të fuqishme dhe u zgjuan të tmerruar. Policia ka shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. /tvklan.al

VIDEO

Lexo gjithashtu
Total
0
Share