Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është pritur me ovacione në Parlamentin Evropian, nga ku ka deklaruar përpara ligjvënësve në kontinentin e vjetër, se vizioni i një anëtarësimi në Bashkimin Evropian, është ajo çfarë i motivon ukrainasit të jenë të fortë në përballje me Rusinë.
Vetëm fitorja e Ukrainës është ajo çfarë i garanton vlerat e lirisë evropiane sipas tij dhe pa mbështetjen e gjithë unionit, nuk do të kishte rezistencë të tillë.
Ndaj, BE-ja nuk ka si të mos cilësohet si shtëpia e Ukrainës, për vlerat që përfaqëson.
Në paralel, në Rusi sipas tij, vlera e jetës është vrarë, shpresa është shkatërruar, pasi Kremlini nuk i sheh si qytetarë banorët e Rusisë, por si vegla, për të mbajtur në duar armë.
“Regjimi rus i urren të gjitha shoqëritë e drejta, demokratike, me diversitet, sepse ata investojnë në ksenofobi dhe po kërkojnë të kthejnë pas realitetin e viteve 1930-1940, kur Evropa gjendej në luftë”, theksoi me forcë presidenti ukrainas, teksa merrte ovacione nga eurodeputetët, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv.
Falenderime ai bëri edhe sa i përket qasjeve të ndihmës energjetike dhe qëndrimeve që BE-ja ka pasur ndaj Moskës lidhur me këtë plan.
Bojkotimi i gazit dhe naftës ruse, është një hap me rëndësi përpara, drejt pavarësisë energjetike të gjithë kontinentit, e cila i ngushton edhe vetë Rusisë rubinetin e parave që vjel prej resurseve në hidrokarbure.
“Ukraina dhe BE-ja, e kanë bërë të qartë forcën e tyre, duke kombinuar principet dhe vlerat e përbashkëta”, e përmbylli ai fjalimin, duke përmendur edhe aplikimin e vendit të tij për anëtarësim në strukturat evropiane, pas agresionit rus me procedurë të përshpejtuar.