Mbrëmja e parë e Sanremos, me emocione dhe incidente

I ftuar për herë të parë Presidenti i vendit, rrëmben vëmendjen fustani i Chiara Ferragnit

Pas muajsh pritjeje, më në fund u hap perdja e edicionit të 73-të të Festivalit të Sanremos. I drejtuar për herë të katërt nga Amadeus i cili është edhe drejtori artistik i festivalit të këngës së muzikës për herë të parë, i ftuari kryesor në Teatrin Ariston ishte edhe presidenti i vendit Sergio Mattarella.

Çdo mbrëmje Amadeusit do t’i bashkohet një bashkëprezantues i ndryshëm, ndërsa do të ketë pranë tij këngëtarin italian Gianni Morandi. Në mbrëmjen e parë, bashkë-prezantuesja ishte blogerja e njohur Chiara Ferragni.

Mediat italiane shkruajnë se prania e Chiarës konfirmon rëndësinë gjithnjë në rritje që ka moda edhe në kuadër të një konkursi kënge. Veshja e dytë nga sipërmarrësja italiane, një krijim i markës Dior rrëmbeu gjithë vëmendjen duke u bërë fustani më i paharrueshëm në këtë festival. Fustani i quajtur “Shameless” ktheu vëmendjen te të drejtat e grave, të drejtën për barazi gjinore, lirinë për të qenë dhe për të veshur atë që gratë dëshirojnë.

Nga 28 artistët në konkurs në natën e parë nga 5 në total performuan 14 këngëtarët e parë nga Anna Oxa deri te Mara Sattei. Të ftuar ishin emra të njiohur si Roberto Benigni, Mahmood, Blanco, Piero Pelù, Salmo dhe Elena Sofia Ricci. Mahmood dhe Blanco rikthyen në skenë këngën e tyre “Brividi”, ndërsa Blanco këndoi gjithashtu edhe këngën e tij më të fundit.

Por gjatë performancës së tij një problem teknik bëri që performanca të përfshihej nga një incident që tërhoqi mjaft reagime nga publiku. Ai kapi lulet që ishin të vendosura në skenë dhe i hodhi në ajër dhe shkatërroi të gjithë dekorin që ishte vënë në skenë për performancën e tij.

“Nuk e dëgjoja zërin në kufje dhe kështu doja të argëtohesha gjithsesi”, tha Blanco, por megjithatë nuk mundi të qetësonte publikun e zemëruar. Më pas Morandi u shfaq me një fshesë për të hequr lulet e shkatërruara nga skena, dhe me ironi u shpreh se të gjithë do të merren me incidentin dhe jo me muzikën e bukur që publiku dëgjoi gjatë mbrëmjes.

Finalja e Saneremos do të mbahet më 11 Shkurt ku përveç jurisë në votim do të marrë pjesë edhe publiku nga shtëpia. Fituesi do të ketë mundësinë të përfaqësojë Italinë në Eurovision i cili do të mbahet më 13 Maj në Liverpool.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share