Ambasadori i Shqipërisë në Turqi Kastriot Robo tha përmes një lidhjeje telefonike për Klan News se nuk ka asnjë shqiptar të lënduar nga tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm shtetin turk.
“Nuk na rezulton akoma fatmirësisht shtetas shqiptar apo shtetas turk me origjinë shqiptare të prekur nga ky tërmet.”
Robo theksoi se operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë në 10 qytete turke edhe pse kushtet e motit e bëjnë akoma më të vështirë situatën.
“Përmasat e tërmetit janë shkatërruese. Turqia është mbërthyer nga një dimër i egër. Ka stuhi dëbore dhe ndërprerje të shumë linjave të fluturimit ajror, përfshirë dhe ato të Shqipërisë”-tha Robo.
Sipas tij, ky tërmet është më i fuqishmi pas atij të vitit 1999, që pati pasoja shkatërrimtare për Stambollin.
“Lëkundjet e tërmetit po vijojnë. Gatishmëria e qeverisë turke për përballimin e situatës dhe deklarata e presidentit Tayip Erdogan tregon për gatishmëri maksimale të autoriteteve turke, i gjithë kabineti qeveritar është në ndjekje të situatës. Ky tërmet krahasohet me goditjen e Stambollit në vitin 1999”-u shpreh ambasadori.
Ai tha ndër të tjera se ka pasur rreth 78 goditje pas tërmetit të fortë./tvklan.al