Shkatërrohet rrjeti i trafikut të heroinës e kokainës në Rumani, grupi drejtohej nga një shqiptar

Tetë persona janë arrestuar në Rumani dhe akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, të llojit kokainë e heroinë.

Sipas mediave rumune, të dyshuarit kishin trafikuar 12 kilogramë heroinë e kokainë. Policia thotë se kreu i grupit të trafikut të drogës është një shqiptar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.

Sipas hetuesve, ai kishte lidhje në disa shtete europiane, përfshirë Belgjikën dhe Holandën. Heroinë dhe kokaina futej në Rumani nga portet e Detit të Veriut dhe më pas shitej në Itali, Spanjë e Rumani.

Nga hetimet e autoriteteve rumune ka rezultuar se droga trafikohej përmes automjeteve që bliheshin nga anëtarët e grupit dhe nuk i regjistronin në emrat e tyre. Më pas ndërronin pronësinë e automjeteve një herë në 2-3 muaj për të humbur gjurmët.

Në shumë rastet, drejtuesit e këtyre automjeteve merrnin gjoba për shkak të shpejtësisë së lartë, por në dosje evidentohet se këto gjoba paguheshin në kohë për të mos ngritur dyshime.

Automjetet me drogën e fshehur drejtoheshin nga bashkëpunëtorë të grupit kriminal, ndërsa krerët e këtij rrjeti udhëtonin gjithmonë me linja ajrore. Makinat që transportonin kokainën dhe heroinën kishin vende të modifikuara në kroskot, tavan, poshtë sediljeve në pjesën e frenave të dorës ku fshiheshin pakot me lëndë narkotike. Nga përllogaritjet e hetuesve rumunë, 1 kg drogë do të shitej më shumë se 100 mijë Euro. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share