Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka dërguar porosi për krerët e institucioneve të Kosovës dhe për bashkëpunëtorët e tij atje, në lidhje me zhvillimet aktuale politike e që kanë të bëjnë edhe me kërkesat e Serbisë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, përcjell Klan Maqedoni. Ahmeti ka thënë se nuk duhet të ketë “hasmëri shekullore” mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, por duhet pajtim.
“Unë inkurajoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, bashkë me mua të inkurajojmë institucionet e Kosovës, të gjithë bashkluftëtarët e mi në Kosovë e që nuk janë pak, të bëhen të fortë në këto situata të rëndësishme. Të jenë në linjë të fortë me të gjithë ata që ndihmuan dhe janë shtet-bërës të shtetit të Kosovës, Amerikën, Evropën dhe NATO-n. Në një linjë të jenë me këta faktorë sepse kështu do të arrijnë tek qëllim final”, deklaroi Ali Ahmeti nga takimi në Çellopek të Komunës së Bërvenicës./KlanMacedonia