Dy pika kufitare me Serbinë ende të bllokuara

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë ka bërë të ditur se vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe në orët e mëngjesit të së premtes dy pikat kufitare, ajo në Jarinjë dhe Bërnjak. QKMK njofton se në pikat tjerat kufitare nuk ka pritje të gjata, as në hyrje të Kosovës, e as në dalje.

Pasditen e së enjtes janë larguar barrikadat e vendosura nga serbët në veri, që bllokuan rrugët për pothuajse tri javë rresht. Barrikadat janë larguar në fshatin Rudarë, i cili gjendet në komunën e Zveçanit, në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.

Njëzet ditë thirrje për largimin e tyre “ranë në vesh të shurdhër”. Qeveria e Kosovës po priste KFOR-in që të largonte barrikadat, e në anën tjetër ndërkombëtarët insistonin se barrikadat duhet hequr nga ata që i kanë vendosur.

Vetëm ndryshimi i aktakuzës të Dejan Pantiç nga paraburgimi në arrest shtëpiak, ndezi shkëndijën e ‘dorëzimit’ të serbëve në Kosovë në raport me barrikadat.

Me t’u bërë i ditur vendimi, mbrëmjen e 28 dhjetorit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç u mblodh kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, me pjesëtarë të komunitetit serb për të diskutuar mbi mundësinë e heqjes së barrikadave.

I thirrur në “shërbim ndaj popullit të tij”, Vuçiç në takim hyri me idenë që do pranonte çdo përgjigje që i japin serbët, pro ose kundër heqjes së barrikadave.

Sidoqoftë, i njëjti doli nga takimi duke deklaruar se barrikadat do hiqeshin, mëngjesin e ditës së ardhshme, të enjten.

Paraprakisht, Vuçiç theksoi se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin, prej të cilave është kërkesa për mos ndjekje penale të personave që vendosën barrikadat.

Përderisa triumf për Serbinë e ka konsideruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiç lirimin e Pantiçit në arrest shtëpiak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbetur i habitur me këtë vendim.

Kurti ka thënë se është kureshtar ta dijë se cili gjyqtar e la në arrest shtëpiak Pantiçin e akuzuar për terrorizëm. Ndërkaq, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vendimi për zëvendësimin e masës ndaj Dejan Pantiçit, është akti më i rëndë që mund t’i bëhej vendit nga siç ka thënë ajo institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit kushtetues. /klankosova

Lexo gjithashtu
Total
0
Share