Kina do të heqë karantinën për udhëtarët në 8 Janar

Vendimi vjen pasi vendi po lufton me një rritje te infektimeve me gati 1 milion raste dhe 5 mijë vdekje në ditë

Kina do të heqë karantinën për udhëtarët nga 8 Janari, duke shënuar ndryshimin e fundit të madh nga politika e vendit për zero Covid. Pas gati tre vitesh kufij të mbyllur, Pekini do të rihapë vendin për ata me viza pune dhe studimi, ose që kërkojnë të vizitojnë familjen por vjen ndërsa vendi po lufton me një tjetër rekord rastesh me Covid 19 pas heqjes së kufizimeve.

Raportet thonë se spitalet janë të mbingarkuar dhe të moshuarit po vdesin. Numri i vërtetë i rasteve dhe vdekjet aktualisht nuk dihet sepse zyrtarët kanë ndaluar publikimin e të dhënave Covid por firma britanike e të dhënave shëndetësore Airfinity vlerësoi se Kina po përjetonte më shumë se një milion infeksione dhe 5,000 vdekje në ditë, sipas asaj që raporton Reuters.

Kina është ekonomia e fundit e madhe në botë që ka lehtësuar masat, pas tre vjetësh izolimi dhe masave të ashpra që përfshinin mbylljen e kufijve, karantinimin e detyrueshëm për të infektuarit dhe personat e kontaktit. E ashtuquajtura qasja zero-Covid goditi ekonominë dhe i lodhi qytetarët nga kufizimet dhe testet e përsëritura e cila muajin e kaluar u shoqërua edhe me protesta.

Që nga Marsi 2020, kushdo që hynte në Kinë duhej t’i nënshtrohej karantinës së detyrueshme deri në tre javë ndërsa kohët e fundit u reduktua në pesë ditë. Rregullat e reja janë mirëpritur nga shumë kinezë, të cilët tani do të mund të udhëtojnë përsëri jashtë shtetit. Agjencitë kryesore të udhëtimit në internet të vendit raportuan një rritje të trafikut pas njoftimit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share