“Boshllëku” i lënë nga Ronaldo, United marrëveshje me Gakpo

Manchester United arrin paramarrëveshje me sulmuesin e PSV Cody Gakpo

Largimi i Cristiano Ronaldo ka vënë në lëvizje drejtuesit e Manchester United. “Djajtë e kuq” po punojnë shumë për të nënshkruar sa më shpejt me një zëvendësues të portugezit. Shumë emra gjenden në listën e dëshirave të anglezëve. Por sipas asaj që raportojnë mediat britanike, tashmë është gjetur edhe pasuesi i 37-vjeçarit. Duke iu referuar tabloidit “The Mirror”, United ka bindur holandezin, Cody Gakpo për të firmosur në “Old Trafford”.

Sulmuesi 23-vjeçar i PSV -së , i cili së fundmi shkëlqeu në Kupën e Botës 2022 në Katar shihet si profili ideal për të marrë vendin e Ronaldos në skuadër. Madje, tashmë duket se mes palëve ka edhe një paramarrëveshje me futbollistin dhe më pas një mirëkuptim të plotë me Eindhoven që i zotëron kartonin.

Skuadra holandeze e di se do të jetë e vështirë për të mbajtur Gakpo, për të cilin kërkojnë rreth 50 milionë euro. Për momentin oferta e “djajve” është shumë e ulët në krahasim me kërkesën, gjithsesi finalizimi pritet të bëhet sa më shpejt. Përtej paraqitjes së tij të mira gjatë Kupës së Botës, duke shënuar 3 gola me Holandën e Louis van Gaal, Gakpo shkëlqeu edhe me fanellën e PSV. Në 14 sfida, ai realizoi 9 gola, teksa shënoi 3 nga 5 golat e gjigantit të Eredivisie në Europa League.

Klan News

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share