Hajduti i mori një varëse e më pas e kritikoi atë për paraqitjen e kombëtares në Kupën e Botës
Ish-trajneri i Brazilit, Tite, kaloi momente të vështira ndërsa ishte duke shëtitur në rrugët e Rio de Zhaneiros.
61-vjeçari u grabit nga një person nën kërcënimin e armës në orën 06:00 të mëngjesit në metropolin e njohur brazilian.
Përveç parave, atij iu mor edhe një varëse, ndërkohë që grabitësi, i cili e njohu teknikun, e kritikoi atë edhe për paraqitjen e Brazilit në botërorin Katar 2022, raporton gazeta braziliane “O Globo”.
Pasi shprehu gjithë zhgënjimin e tij, keqbërësi më pas u largua nga vendngjarja, ndërsa policia ka nisur hetimet për ta arrestuar.
Tite mori drejtimin e përfaqësueses verdhejeshile në vitin 2016 dhe i udhëhoqi në fitimin e Copa Amerika tre vjet më parë.
Por ai dha dorëheqjen pasi Brazili u eliminua në çerekfinalet e Katar 2022 nga Kroacia.
Brazili konsiderohej një nga kombëtaret favorite për ta fituar trofeun.
Por verdhejeshilët gabuan nga pika e bardhë e 11-metërshit ndaj ballkanasve, e dy orë pas takimit 61-vjeçari dha dorëheqjen.
Dështimi në Kupën e Botës u përjetua keq nga fansat brazilianë, të cilët besonin shumë se verdhejeshilët do ta fitonin për herë të gjashtë titullin e Kampionit të Botës.
Tite drejtoi Brazilin në 84 takime, duke fituar 60 prej tyre.
Në botërorët e 2018 dhe 2022, përfaqësuesja u eliminua në çerekfinale.
Tv Klan