Ekipi kombëtar i Argjentinës është kthyer në shtëpi, kësaj radhe me Kupën e Botës me vete. “Të kurorëzuar me lavdi”, siç thotë dhe himni i Argjentinës, Messi dhe shokët e skuadrës u kthyen në Buenos Aires ku u pritën nga qindra mijëra tifozë.
Aeroplani u ul në aeroportin e Ezeiza në mbrëmje, teksa aty u pritën nga futbolldashësit. Shumë të tjerë “u derdhën” në rrugët e kryeqytetit për të pritur Kombëtaren e tyre.
Federata e Argjentinës njoftoi zyrtarisht se festa e Kombëtares do të bëhet pasditen e së martës së bashku me tifozët për të festuar titullin Kampion Bote.
Ndërkohë, Qeveria e Argjentinës ka njoftuar se e marta e 20 Dhjetorit është festë kombëtare në vend dhe të gjithë janë pushim.
Pritet që mbi 1.5 milionë persona të marrin pjesë në festën e Kombëtares së Argjentinës gjatë pasdites. /tvklan.al