ANEKTA E IRI-t PËR RMV – MBËSHTETJE E FUQISHME PËR ANËTARËSIM NË BE
Anketa e re e Qendrës për Hulumtime anketuese të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) për Maqedoninë e Veriut, tregon pakënaqësi për kahjen në të cilën lëviz vendi, mbështetje të fuqishme për anëtarësim në BE dhe rritje të perceptimeve positive për Kinën dhe Turqinë.
Në pyetjen për drejtimin e vendit, vetëm 13% e qytetarëve të RMV-së janë përgjigjur se vendi po lëviz në drejtim të duhur, derisa 58% janë përgjigjur se po lëviz në drejtim të gabuar. 28% e të anketuarve kanë qenë neutral.
“Me rritjen e inflacionit dhe çmimit të rrymës elektrike dhe sfidave tjera ekonomike me të cilët përballet RMV-ja, të dhënat tona tregojnë se njerëzit nuk besojnë se vendi po lëviz në drejtimin e duhur. Kreatorët e politikave në nivel kombëtar duhet të mbeten të fokusuar në çështjet ekonomike, nëse duan që t`i ndryshojnë këto shifra” – tha Pol Mekarti, drejtor i IRI-t për Evropë.
Anketa gjithashtu ka treguar mbështetje të fuqishme për anëtarësimin në BE, përkundër rënies prej 11% në krahasim me Nëntorin e vitit 2021. 73% e qytetarëve të RMV-së duan të hyjnë në BE, kurse 24% nuk e preferojnë këtë.
Anketa e IRI-t tregon se 87% e qytetarëve të RMV-së pajtohen se raportet e fuqishme me Turqinë u shëbejnë interesave të vendit, kurse 65% kanë mendim të njëjtë për Kinën. /KlanMacedonia/