Botërori 2022 | Maroku në merkato

Maroku ‘përfundon’ në merkato , Liverpool hedh sytë nga Amrabat, Barcelona te Ounahi, Reali synon Bono

Maroku ka shkruar tashmë historinë në Kupën e Botës në Katar, duke prekur për herë të parë gjysmëfinalet e turneut më të rëndësishëm në Botë. Një rrugëtim që nuk ka kaluar pa u vënë re nga skuadrat e mëdha Europiane, që kanë hedhur sytë nga elementë të domosdoshëm për organikën e tyre. Ai që ka mahnitur më shumë në radhët e kombëtares së “luanëve të Atlasit” është padyshim, Amrabat.

Mesfushori 26-vjeçar ka treguar një nivel të lartë loje, për t’u shndërruar në lojtarin më të spikatur të kësaj Kupe Bote. Kjo ka ngjallur interesin e një skuadre si Liverpool, që është në kërkim të një lojtari për të mbuluar mesin e fushës.

Për të firmosur me 26-vjeçarin, “The Reds” duhet të paguajë rreth 30 milionë Euro, me lojtarin që ka një kontratë deri në vitin 2024 me Fiorentinën që zotëron kartonin e tij. Në garë për shërbimet e mesfushorit pritet të hyrë edhe PSG e Olympic Marseille.

Me valixhe në duar janë edhe dy futbollistë të tjerë. Dyshja e Angers, Ounahi dhe Boufal janë gati për të gjetur një tjetër skuadër. Për 22-vjeçarin ka interes nga Barcelona, që e konsideron Ounahi si zëvendësuesin ideal të Busquets dhe një konkurrent të fortë për të dueluar për një vend si titullarë mes Pedri dhe Gavi. Për Boufal ende nuk ka shfaqur interes ndonjë skuadër, megjithatë, 29-vjeçari ka pranuar se dëshiron largimin. Ndërkaq, në merkato ka përfunduar edhe emri i heroit të Marokut, Bono, shërbimet e të cilit i kërkon Real Madrid.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share