Konjufca: Nuk do të lejojmë që Vuçiqi të komandojë në territorin e Kosovës

XHAFERI: PALËT TË VEPROJNË NË MËNYRË RACIONALE

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka porositur sot nga Shkupi që faktori ndërkombëtar të jetë më i zëshëm sa i përket situatës së tensionuar ditëve të fundit në veri të Kosovës. Ai duke folur për mediat pas takimit me homologun e tij nga Maqedonia, Talat Xhaferi, e ka quajtur përgjegjëse Serbinë për këto tensioni, pasi, siç tha ai, edhe përskaj arritjes së marrëveshjes për targat dhe shtyrjen e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe, Serbia në anën tjetër u përgjigj përmes eksponentëve, të cilët janë në krye të krimit të organizuar në atë pjesë të Kosovës. Konjufca tha se, nuk do të lejojnë që brenda territorit të Kosovës, Vuçiqi të komandojë përmes këtyre bandave. Sipas tij, qëllimi i Kosovës është që të arrijnë siguri në veri, por në të njëjtën kohë të mos bëjnë kompromis me sundimin e ligjit.

“Qëllimi i Serbisë është eskalimi i situatës, kjo duket qartë, mirëpo Kosova është për të kundërtën që situata të deeskalohet. Dhe në funksion të kësaj, unë i përmenda edhe ato dy veprime të Kosovës, të cilat ishin veprime të vullnetit të mirë. Tash është radha e Serbisë që të distancohet prej këtyre grupeve, të cilat bëjnë veprime të paligjshme dhe kriminale në pjesën e veriut të Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e zëshme në dënimin e këtyre veprimeve, të cilat janë drejtpërdrejtë të orkestruara nga ana e Beogradit dhe Beogradi këtë nuk po e fsheh” – tha Glauk Konjufc.

Nga ana tjetër, Talat Xhaferi nuk ka komentuar konkretisht tensionet, por vetëm ka thënë se pret që të dy palët duhet të jenë racional dhe stabiliteti të sigurohet përmes partnerëve ndërkombëtar.

“Dy palët duhet të veprojnë në mënyrë racionale për të tejkaluar dhe deeskaluar situatën në veri të Kosovës. S’do mend që edhe përskaj kompetencave të institucioneve të Republikës së Kosovës, garant i suverenitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, përmes Kombeve të Bashkuara me mandat është përcaktuar NATO, si forcë e cila duhet të siguron rendin, qetësinë dhe lirinë e lëvizjes dhe funksionimit të shtetit të Republikës së Kosovës” – deklaroi Talat Xhaferi.

Kujtojmë se, që nga 6 dhjetori janë shënuar disa incidente në pjesën veriore të Kosovës. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për qetësim të situatës dhe heqjen e menjëhershme të barrikadave. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share