Pjesa lindore e Ukrainës është goditur nga sulme prej të dyja anëve të luftë, Rusia që lëshonte dronë drejt Odesas dhe Kievi që i kthente përgjigje në Melitopol.
Ushtria ukrainase tha se i rrëzoi dhjetë dronë të lëshuar nga Rusia të shtunën, por pesë dronë të tjerë arritën të godasin infrastrukturën energjetike, duke i lënë kështu rreth 1.5 milion banorë pa rrymë.
Më vonë, kryetari i internuar i Melitopol tha se ishte kryer një sulm në qytetin që aktualisht kontrollohet nga forcat ruse.
Pamjet e publikuara nga një zyrtar i emëruar nga Rusia aty tregojnë se kishte pasur një zjarr të madh.
Sulmet me dronë të Rusisë në Odesa u kryen përmes dronëve të prodhuar nga Irani dhe ato kishin cak pika kyçe infrastrukturore të Ukrainës, tha një zyrtar ukrainas.
“Situata në rajonin e Odesas është shumë e vështirë”, tha presidenti Volodymyr Zelensky në adresimin e tij të përnatshëm. “Fatkeqësisht, goditjet ishin kritike, kështu që do të na duhet më shumë sesa vetëm kohë për ta restauruar elektricitetin. Nuk do të duhet orë, por disa ditë”.
Që nga tetori, Moska ka sulmuar pika kyçe të infrastrukturës energjetike të Ukrainës me sulme të shumta me predha dhe dronë.
Në Melitopol, autoritetet pro-ruse thane se një sulm me predha i kishte lënë të vdekur dy persona, ndërsa të lënduar dhjetë të tjerë. Ndërsa, Ivan Fedorov, kryetari i internuar, tha se disa “pushtues” ishin vrarë.
“Sistemet e mbrojtjes ajrore shkatërruan dy raketa, katër [raketa] arritën objektivat e tyre“, tha Yevgeny Balitsky, guvernatori i emëruar nga Moska për pjesën e pushtuar të rajonit të Zaporizhjas, në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Ai shtoi se një sulm ukrainas me raketa Himars e kishte shkatërruar një “qendër rekreacioni” ku njerëzit po hanin darkë. /REL