Në orën 10 do të bllokohet bulevardi “Ilinden”
Protesta e transportuesve privat do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të nesërme. Kemal Muriq nga kompania “Sloboda prevoz” në konferencë për media njoftoi se, trupi koordinues ka sjell vendim që gjatë ditës së nesërme protestat në orën 10 të dislokohen nga udhëkryqi te Kryqi i Kuq dhe “Mavrovasja” te barakat e Qytetit të Shkupi në bulevardin “Ilinden”, i cili do të jetë i bllokuar në gjitha katër korsitë.
“Pas konferencës së djeshme për media në Qytetin e Shkupit, me një debakël të tillë, pas turpit dhe rrëmujës që është bërë, gjithnjë e më shumë dalin në pah argumentet se kush është fajtori kryesor për këtë gjendje, kush është fajtori kryesor që qytetarët e Shkupit nuk janë as fajtor as të obliguar të vuajnë gjithë këtë, kush është fajtori kryesor që nuk jemi paguar, kush është fajtori kryesor për kaosin në trafik? Ajo është drejtpërdrejt udhëheqësia e Qytetit të Shkupit, kryetarja, Danela Arsovska”, deklaroi Kemal Muriq nga “Sloboda prevoz”.
Transportuesit privat tash më disa ditë protestojnë me bllokada të rrugëve kryesore të qytetit. Ata kërkojnë nga Qyteti i Shkupit që tua paguaj borxhin dy kompanive private që në tërësi përbën rreth 90 milionë denarë, pasi, siç thonë, nuk kanë mjete për funksionim të mëtejmë./KlanMacedonia