Dy shpërthime gjatë natës në Mitrovicën e Veriut

Janë hedhur dy bomba shok, nuk ka pasur të dëmtuar dhe dëme materiale

Në Mitrovicë të Veriut kanë ndodhur dy shpërthime në mbrëmjen e djeshme.

Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, ka deklaruar se nga këto shpërthime nuk ka të lënduar dhe as dëme materiale. Bombat shok që janë hedhur nuk kanë aftësi shkatërruese, por kanë një efekt zhurmues jashtëzakonisht të madh. Njëra është hedhur në një udhëkryq në Lagjen e Boshnjakëve, ndërsa tjetra në Kodrën e Minatorëve. Lagjja e Boshnjakëve është një vendbanim shumetnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë.

Këto shpërthime vijnë një ditë pasi Policia e Kosovës tha se grupe dhe persona të maskuar, duke përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav” sulmuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

Në momentin e këtyre incidenteve, policia ishte duke përcjellë zyrtarët zgjedhorë, të cilët ishin nisur për të vizituar zyrat zgjedhore në këto komuna.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share