KOMUNA U OFRON ZGJIDHJE, FAMILJA THOTË SE ËSHTË JOADEKUATE
Zonja Sevdije së bashku me 5 anëtaret tjerë të familjes për një javë duhet të lirojnë shtëpinë, shkaku i rrugës e cila po ndërtohet në Bllagoja Toska të Tetovës shtëpia e tyre duhet të rrënohet.
Edhe pse i kanë bërë thuajse të gjitha gjërat gati që të dalin nga shtëpia e tyre ende nuk dinë se ku do të strehohen.
“Ne qe dy javë jem gati por nuk kemi asnjë premtim, vetëm na thuan dilni, nuk na është siguruar as banesë as pagesën nuk e kanë bërë, nuk kemi marrëveshje”
”Ku gjejmë ne banesa nuk pajtohet komuna nuk di çka të them” – tha Sevdije Rushiti, pronare e shtëpisë.
Zonja Sevdie thotë se nuk janë kundër që të rrënohet shtëpia shkaku i zgjerimit të rrugës por kërkojnë vlerësimin siç duhet nga Komuna e Tetovës.
“Çfarë kërkoni nga Komuna? Me 72 mije euro nuk mund të blejsh asgjë sot, e shohin se çdo gjë është shtrenjtuar, rruga le të dale nuk jam kundër, thuan se ankohen qytetaret, qytetaret mund të ankohen por çdokush ka shtëpinë e tyre e unë nuk mund të dal në rrugë me 6 fëmije shkaku i qytetarëve se ato ankohen. Është prona jonë, nuk e kemi vjedhur, burri e ka fituar me djersë” – tha Sevdije Rushiti, pronare e shtëpisë.
Lidhur me ankesën e zgjidhjes se vendstrehimit kërkuam përgjigje nga Komuna e Tetovës e nga atje thanë:
“Ankesa e familjarit të shtëpisë që do të rrënohet në rrugën Bllagoja Toska në Tetovë është e pabazë pasi Komuna e Tetovës ka gjetur vendstrehim për këtë familje. Përkundrazi, u janë ofruar disa vende ku ngelet që vetëm të vendosin se ku do vazhdojnë qëndrimin. Ne si komunë jemi të obliguar që të gjitha procedurat të kryhen ashtu siç duhet dhe siç i parasheh ligji” – thonë nga Zyra për komunikim dhe marrëdhënie me publikun Komuna e Tetovës.
Nga Komuna e Tetovës shtuan se si komunë do t’i zbatojnë të gjitha normat ligjore. Epilogu i gjithë kësaj çështje do të jetë komform ligjit dhe pritet të përfundojë diku ka fundi i kësaj jave. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Avni Tahiri
https://www.youtube.com/watch?v=n4v0LPESHlQ