Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur besimin se së shpejti do të bëhet njohja përfundimtare e Kosovës, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.
“Besoj se edhe njohja e saj përfundimtare do të vijë më herët sesa vonë, dhe se Kosova nuk do të pres kaq sa ka pritur prej se ka shpallur pavarësinë, për t’u njohur përfundimisht, ndërkombëtarisht, dhe për të qenë e pranishme në çdo instancë, të gjithë organizimit të përgjithshëm të botës ku ne jetojmë”, ka thënë Rama, transmeton Klankosova.tv.
“Marrëdhëniet mesh Shqipërisë dhe Kosovës sot nuk janë thjesht të shkëlqyera, sepse jemi dy vende të ndara me dy shtete, por të bashkuar me zemër, por janë edhe më produktive më shumë se kurrë më parë. Këtë e tregojnë faktet, jo vetëm mbledhjet, por nga vullneti dhe nga arritja e aftësisë. Mjafton të shikosh të dhënat e shkëmbimeve tregtare apo lirinë e lëvizjes që deri dje dukej e pamundur, apo Abetaren e përbashkët, apo punën e përbashkët për fjalorin enciklopedik shqiptar dhe për historinë e shqiptarëve”, shtoi Rama.
Tutje ai tha se shpallja e gjuhës shqipe zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe kryeministri i parë shqiptar në Mal të Zi, janë një arritje tjetër që nuk imagjinohej më herët.
“Nga ana tjetër, akoma më e prekshme dhe më mbresëlënëse është pamja në Maqedoninë e Veriut, shumë më vonë pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ishte vendi ku gjuha shqipe vazhdonte të shihej si një gjuhë e një pale të padëshirueshme, ku flamuri shqiptar shihej si provokim. Në 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kush do ta mendonte se Maqedonia e Veriut do të kishte shqipen gjuhë zyrtare, do të kishte pjesëmarrjen më të lartë të shqiptarëve në qeveri dhe institucione, madje kryetarin e kuvendit e ka shqiptar. Kush do ta mendonte se do të vinte dita që Mali i Zi të kishte kryeministër shqiptar, siç e ka tani”, tha Rama.