Shtohen armët për Ukrainën dhe mbështetja për dialogun Kosovë – Serbi
Asambleja Parlamentare e NATO-s miratoi unanimisht rezolutën ku ju kërkon 30 shteteve anëtare të cilësojnë Rusinë shtet terrorist, të hetojnë zyrtarët rusë për krimet në Ukrainë dhe Kremlini të paguaje dëmshpërblime për dëmet e luftës. Duke folur në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare ne Madrid Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Aleanca Veriatlantike do te ndikoje qe te minimizohet influence ruse ne Ballkanin Perendimor.
“Ne po i ndihmojmë shtetet ballkanike që të rezistojnë ndaj influencës malinje nga Rusia e cila kërkon destabilizimin e këtij rajoni. Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një rendësi të veçante për NATO-n. Ne kemi një histori të gjatë angazhimi në këtë rajon. Ne ndihmuam që t’i jepet fund dy konflikteve brutale atje ne Bosnje dhe në Kosovë. Po ashtu ne ndihmuam që të stabilizonim situatën në Maqedoninë e Veriut 20 vite më parë. Në Kosovë ne kemi një prezencë të konsiderueshme ushtarake në mbështetje të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo demonstron përpjekjet tona për të mbështetur bisedimet diplomatike me ndërmjetësinë e BE-së”, ka thënë Jens Stoltemberg.
Shefi i NATO-s tha se aleatët mund të vendosin të shpenzojnë më shumë para për mbrojtjen kolektive sesa objektivi aktual prej 2% të PBB-së
“Ne duhet të jemi të përgatitur për të mbështetur ushtarakisht Ukrainën për një kohë të gjatë. E di që kjo mbështetje ka një çmim. Në vendet tona, shumë njerëz përballen me një krizë të kostos së jetesës, faturat e energjisë dhe ushqimit po rriten. Këto janë kohë të vështira për shumë njerëz, por çmimi që paguajmë ne si aleatë të NATO-s matet me para, ndërsa ukrainasit, po paguajnë një çmim që matet me gjak”, ka thënë Stoltemberg.
Të mërkurën, më 23 Nëntor, edhe Parlamenti Evropian do të votojë një rezolutë për etiketimin e Rusisë si një shtet sponsor i terrorizmit me sulmet e saj ndaj objektivave civile, duke përfshirë infrastrukturën energjetike, spitalet, objektet mjekësore, shkollat dhe strehimoret duke shkelur ligjin ndërkombëtar. Kohe më pare Uashingtoni i shmangej përcaktimit të Moskës si sponsor shtetëror i terrorit ne botë. Disa ekspertë argumentojnë se kjo mase mund të ndërpresë urat e komunikimit te perëndimit me Moskën. Klan News