TARAVARI NUK HEDH POSHTË MUNDËSINË QË TË MARRIN PUSHTETIN, FTESË ENDE NUK KA
Tanimë disa javë po flitet zëshëm se Aleanca për shqiptarët do të bëhet pjesë e Qeverisë. E më në fund, erdhi edhe takimi zyrtar mes Kryeministrit Kovaçevski dhe Kryetarit Taravari. Por megjithatë, ky i fundit thotë se nuk ka ofertë zyrtare që të bëhet pjesë e Qeverisë dhe se kjo nuk ka qenë temë e takimit, raporton Klan M.
”Tani për tani nuk bisedohet konkretisht për hyrje në Qeveri” – thotë Taravari nga ASH-ja.
Por, Taravari nuk mohon se nëse vjen oferta, do të shqyrtohet.
”Ju nuk e hedhim poshtë mundësinë për të qenë pjesë e Qeverisë. Anëtarësia është ajo që duhet të vendosë pastaj edhe organet partiake” – deklaroi Taravari.
Taravari foli me tonë me të ashpra edhe kundër VMRO DPMNE-së. Tha se në kohën e fundit VMRO DPMNE është në garë me “Levicën” se cila do të ketë tone më nacionaliste. Me këto veprimet e fundit, sipas Taravarit, VMRO DPMNE po e zvogëlon ndjeshëm kapacitetin koalicionues me partitë shqiptare.
E Mickoski nga ana tjetër thotë se nëse Aleanca pranon të bëhet pjesë e Qeverisë, do të pranojë vetë se ka gënjyer kur ka thënë se kjo qeveri nuk punon si duhet dhe se ka shumë krim dhe korrupsion.
”Nëse më pyetni për mundësinë që Aleanca të bëhet pjesë e Qeverisë, kjo do të thotë se Aleanca në tërësi do ti hedhë poshtë të gjitha tezat që gjatë gjithë kohës i përmendin. Nëse ju thoni se kjo Qeveri nuk punon si duhet, nëse thoni se kjo Qeveri është fajtore që shumë shqiptar e kanë lëshuar shtetin, nëse ju thoni se kjo qeveri është kriminale, korruptive dhe më pas bëheni pjesë e kësaj qeverie, ju vetëm se i legjitimoni këto politika dhe e pranoni se keni gënjyer” – deklaroi Mickoski.
Taravari thonë se edhe nëse marrin ftesë për të hyrë në Qeveri, ato kanë linjat e kuqe të cilat nuk duan që ti kalojnë. E kreu i opozitës thotë se kanë plan konkret të cilin duan ta propozojnë për ballafaqimin me krizën ekonomike. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Furkan Saliu