Ditën e sotme është zhvilluar në Beograd një konferencë për sigurinë energjetike. I pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama. Ai u shpreh se kjo mbledhje ishte e nevojshme në këtë kohë lufte. Sipas tij, duhen rajonalizuar tregjet dhe për energjinë, vendet e rajonit duhet të shkojnë përtej kufijve.
“Ishte një mundësi e shkëlqyer dhe një mbledhje e nevojshme në këto kohë lufte, kur bombat dhe plagët godasin diku në Ukrainë, por kur kriza energjetike, plus inflacioni i luftës, kanë goditur kudo, përfshirë vendet tona. Nuk ka asnjë dyshim se në këto kohë kaq të vështira ajo që kemi thënë më parë kur nisëm Ballkanin e Hapur dhe kur nxitëm për një bashkëpunim më të gjerë rajonal, bëhet gjithnjë e më e dukshme na duhet të rajonalizojmë tregjet tona. Sa i takon energjisë duhet të shkojmë përtej kufijve tanë, pasi në të kundërt mbetemi tregje të vogla dhe ajo çfarë na duhet dhe kemi nevojë, nëse trajtohet në mënyrë të izoluar mund të jetë shumë më kushtueshme dhe jo vetëm kaq. Besoj duke vepruar në nivel rajonal sa i takon tregut të energjisë, ne mund të kemi një qasje më të lehtë në financime. Po kështu mund një partneritet shumë më të fortë në sektorin privat. Ishte një ditë vërtetë e rëndësishme kjo e sotme dhe i jam mirë mirënjohës qeverisë së Norvegjisë, qeverisë serbe këtu që e bënë nisjen e këtij bashkëbisedimi me praktikisht njerëzit më të mirë, strukturat më të mira dhe më e dije në Europë që janë norvegjezët. Shpresoj që ky bashkëbisedim do të vazhdojë e që ne do t’i kemi do t’i kemi me vete partnerët, miqtë tanë norvegjezë për të mbështetur tona për një masterplan rajonal dhe një udhërrëfyes investimesh”.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin Presidenti i Sebisë, Aleksandër Vuçic si mikpritës, Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Zoran Tegeltija, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Zëvendësministri i Energjisë dhe i Dërguari Special për Energjinë në Norvegji, Andreas B. Eriksen./tvklan.al