MTV Music Awards “pushtohet” nga artistet shqiptare

Taylor Swift fituesja kryesore, s’ngelen prapa Bebe Rexha e Ava Max

Edicioni i sivjetshëm i MTV Europe Music Awards u “pushtua” nga artistet shqiptare. Evenimenti muzikor i mbajtur në Dusseldorf të Gjermanisë u drejtua nga Rita Ora dhe Taika Waititi dhe filloi pikërisht me interpretimin e çiftit.

Dua Lipa, Bebe Rexha, Ava Max e Loredana Zefi, në mesin e konkurrentëve, kurse Bebe e Ava ishin edhe ndër performueset e mbrëmjes. Bebe Rexha fitoi çmimin për bashkëpunimin më të mirë me David Guetta përhitin “I’m Good (Blue)”. E ndërsa këngëtarja e njohur në Europë, Loredana, u shpall “Performuesja më e mirë nga Zvicra”. Rita Ora së bashku me Bebe Rexhën teksa zhvilluan një lojë me pije, artistja Ora ka sjellë në vëmendje origjinën e tyre shqiptare, teksa e cilësoi Beben si motrën e saj shqiptare.

Sa i përket artistëve të njohur ndërkombëtarë, Taylor Swift u shpall fituesja kryesore e MTV Europe Music Awards. Këngëtarja amerikane fitoi katër nga çmimet kryesore: artistja më e mirë, videoja më e mirë, artistja më e mirë në zhanrin pop dhe videoja më e mirë e gjatë. Nicki Minaj, Seventeen dhe David Guetta fituan nga dy çmime.

Çmimi i këtij viti “MTV EMA Generation Change” iu nda tri grave ukrainase, Lina Deshvar, Anna Kutova dhe Anfisa Yankovina, për luftën e fuqishme për drejtat e atyre që janë prekur nga kriza humanitare në atë shtet.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share