Rama pret falje nga Britania për emigrantët

Kryeministri Edi Rama pret ende një falje nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për komentet e Sekretares së Brendshme Suella Braverman, e cila i përshkroi emigrantët shqiptar që tentojnë të kalojnë kanalin për të shkuar në britani si kriminelë.

Në një intervistë për ‘Sky News’, ai thotë se deklarata ishte e ekzagjeruar.

“Nuk kam dëgjuar kurrë një falje, gjë që më bën të mendoj se në vend të shprehjes së ekzagjeruar të zhgënjimit, ky ishte një sulm i llogaritur. Dhe kjo është gjëja më shqetësuese. Kur kërkon falje, është në rregull, ndodhi. Kur nuk e bën, dhe kur e shmang, atëherë do të thotë se dëshiron diçka nga ajo që thuhet”.

Ai hedh dyshimet se deklarata të tilla bëhen për qëllime të bredshme elektorale dhe janë mesazhe të qarta për votues të caktuar që janë të pakënaqur për politikat e emigracionit.

“Do të thotë se ka një llogaritje pas saj, do të thotë që vërtet po flet me një numër të caktuar votuesish që duan të dëgjojnë këtë. Dhe ju po i ushqeni me këtë sepse keni nevojë për votat e tyre. Por pasojat e kësaj mund të jenë shkatërruese për njerëzit, për njerëzit tanë në Britani dhe për vetë Britaninë”.

Diskutimet për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit, pas deklaratave të bëra nga sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila tha se shqiptarët gënjenin për arsyen përse largoheshin nga vendi dhe shumë prej tyre i etiketoi si persona me rekorde kriminale.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share