Propozimi franko-gjerman, nga BE s’tregojnë nëse u refuzua apo pranua: Pyetni Kosovën dhe Serbinë

Ka disa javë që në opinion po zihet debati rreth planit franko-gjerman për gjetjen e një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Propozimet që i janë dhënë Kurtit dhe Vuçiqit janë konfidenciale, derisa të dy liderët kanë pasur një afat kohor për të treguar pozicionet e tyre për propozimin.

Se një gjë të tillë e kanë bërë e ka treguar edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, megjithatë ende s’dihet çfarë saktësisht përmbajnë përgjigjet e Beogradit dhe Prishtinës. Borell kur ka folur për këtë çështje ka theksuar se Brukseli po i studion përgjigjet e palëve.

Por nga Bashkimi Evropian s’kanë pranuar që të flasin për diçka të tillë kur janë pyetur nga Gazeta Express nëse Serbia e ka refuzuar propozimin dhe nëse Kosova e ka pranuar atë.

Zëdhënësja e BE-së, Zoi Muletier, i ka thënë Gazetës Express se pyetjet duhet drejtuar Vuçiqit dhe Kurti, meqë Brukseli s’flet në emër të tyre.

“Faleminderit për pyetjet. Megjithatë ato duhet t’iu adresohen autoriteteve të Serbisë dhe Kosovës duke qenë se ne s’flasim në emër të tyre”, ka thënë Muletier.

Nga Serbia deri tani për propozimin franko-gjerman ka folur shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, duke thënë se është i papranueshëm për Beogradin meqë përfshinë njohjen e Kosovës.

“Nuk na jep mundësi të flasim, sepse për ne është e papranueshme baza nga e cila nis që Kosova është shtet i pavarur. Dhe kjo, nëse do ta njihni apo jo në kuptimin formal, por do të pajtoheni që Kosova është anëtare e OKB-së, është shumë e vështirë për ne”, ka thënë Daçiç.

Ndërkohë nga Kosova ka pasur dy deklarime kontradiktore. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë një diskutimi në Forumin për Siguri pati deklaruar se propozimi franko-gjerman është më afër kërkesave të Beogradi.

“Nga kjo perspektivë, propozimi franko-gjerman është shumë më afër qëndrimit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje përfundimtare dhe nuk përmban njohje reciproke në këtë fazë”, ka thënë Bislimi në Forumin për Siguri.

Derisa shefi i Bislimit, kryeministri Kurti në një konferencë për media të hënën ka deklaruar se nuk e ka kundërshtuar propozimin dhe se e konsideron si një bazë të pranueshme.

“Unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur. Korniza e përgjithshme e marrëveshjes ka qenë pika e parë më 18 gusht në Bruksel. Deri më tani kemi pasur dialog për proces, por jo për marrëveshje. Më 9 shtator ende pa u bërë një muaj patën ardhë në zyrën time këtu e më pas shkuan në Beograd këshilltarët e lartë të presidentit Macron dhe kancelarit gjerman… Pra ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar, por janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtjet e mia por unë nuk e kam kundërshtuar atë propozimin. Por në Beograd i thanë jo, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së tyre”, ka deklaruar Kurti nga ndërtesa e Qeverisë.

Kurti ka theksuar se për të njëjtin ka dhënë edhe sugjerimet dhe kritikat e tij.

Propozimi franko-gjerman po përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe të martën në një konferencë për media, Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Karen Donfried.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qenë prej liderëve të parë në rajon që ka bërë publik qëndrimin e tij dhe ka thënë se propozimi i Scholz dhe Macron është një mundësi shumë e mirë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share