Vendi shpreson të gjejë zgjidhje për të ulur efektet e ndryshimeve klimatike
Rritja e temperaturës globale me 2 gradë Celsius do të ishte shkatërrimtare për ishujt Maldive. Ishujt janë mesatarisht 1.5 metra mbi nivelin e detit, çka do të thotë se ndryshimet klimatike paraqesin rrezik të madh për atë vend. Kështu shprehet Shauna Aminath, Ministre e Mjedisit në këtë vend.
“Lartësia 1.5 metra mbi nivelin e detit dhe rritja e temperaturës me 2 gradë Celsius do të thotë dënim me vdekje për Maldivet dhe për shumë vende të tjera të vogla ishullore. Kriza klimatike përbën gjënë më të rëndësishme për civilizimin dhe është problemi i vetëm më i madh i gjeneratës tonë. Jemi gjenerata e fundit që mund të bëjmë një ndryshim”, ka thënë Shauna Aminath.
Maldivet shpresojnë të gjejnë zgjidhje përmes nismave që ulin efektet e ndryshimeve klimatike.
Ujërat e cekëta rreth ishujve Maldive janë strehë e mijëra gjallesave detare, si peshku ton, peshkaqenë, breshka deti dhe ngjala. Një valë e nxehtë e Oqeanit Indian në vitin 1998 i rriti temperaturat e ujit me 4 deri 6 gradë Celsius, duke shkatërruar koralet. U deshën më shumë se 15 vjet që shkëmbinjtë koralorë të ripërtëriheshin.
Këto valë të nxehti pritet të bëhen më të shpeshta çka do të thotë se një ditë ky habitat mund të mos jetë në gjendje të rikuperohet.Humbja e shkëmbinjve koralorë së bashku me gjallesat që jetojnë në to do të ishte shkatërruese për ishujt Maldive. Sipas të dhënave zyrtare, 71 për qind e popullsisë ka si burimi kryesor të jetesës oqeanin .
Liderët botërorë kanë bërë premtime për uljen e emetimeve të gazeve që shkaktojnë efektin serë, një faktor i rëndësishëm që nxit ndryshimin e klimës.Megjithatë, kritikët thonë se nuk është bërë sa duhet për të mbrojtur shtetet e prekura si Maldivet.
Klan News