Po vazhdon suksesi i femrave shqiptare në sportin ndërkombëtar.
Karateistja e reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut, Sara Duka fitoi medaljen e artë në ditën e parë të Kampionatit Ballkanik që po mbahet në Mal të Zi. Anëtarja e klubi të karatesë Dibra, Sara Duka pas rezultateve të shkëlqyeshme që tregoi në garat republikane fitoi të drejtën për tu përfaqësuar në kampionatin Botërorë që u mbajt në Konia të Turqisë ndërsa sukseset erdhën në evenimentin e radhës që po mbahet në Mal të zi.
Deri te ky sukses Sara arriti pasi fitoi garuese nga Greqia, Teoni Rakli , mandej triumfoi edhe ndaj dy përfaqësueseve të Bosnjë e Hercegovinës, Adrijana Stanojeviq duke e mundur 9 me 0 dhe Irna Mujanoviç 4 me 1, ndërsa pas triumfit 1 me 0 ndaj grekes Kristina Trijada Papa në finale, u kurorëzua me medalje të artë.
Përveç Sara Dukës edhe dy garueset e vendit tonë fituan medalje, fillimisht Dragana Eftimovska mori medaljen e artë, ndërsa Katja Apostolova u stolis me medalje të bronztë në edicionin e 22-të, të Kampionatit Ballkanik të karatesë për kadet, junior dhe U-21, që po mbahet në Mal të Zi dhe marrin pjesë 944 sportistë nga 10 vende, ndërsa Maqedonia e Veriut përfaqësohet me 106 karateistë. Në konkurrencë të meshkujve Andrej Angelovski dhe Lupçe Mihajlov fituan medalje të artë, Andrej Basarov mori të argjendtën dhe Bojan Kostov u stolis me medalje të bronztë duke e çuar në 7 numrin e medaljeve të fituara në këtë eveniment të madh sportiv.
Përgatiti Shaban Sinani, KLAN Macedonia