Një ditë pas videos tronditëse në të cilën një infermiere shfaqej duke dhunuar fizikisht një grua të moshuar, gazetarja e Tv Klan, Blerta Dalloshi Berisha ishte këtë të enjte pikërisht në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, ku dhe ndodhi ngjarja e rëndë. Gazetarja tregoi gjatë paradites kanë qenë të shumtë familjarët që kanë shkuar në këtë institut, të shqetësuar për gjendjen shëndetësore të njerëzve të tyre.
“Prej mbrëmë kanë thënë që gjendja shëndetësore (e të moshuarës që ra prej e dhunës) është e mirë, përveçse ka sëmundjen e Alzheimer. Nuk mund ta dimë nëse psikologjikisht mund të jetë e rënduar për shkak të sëmundjes që ka. Këtu gjendemi tek instituti që është për përkujdesjen e të moshuarve. Gjatë ditës kemi parë shumë vizita, ka mbi 1 orë e gjysmë që jemi këtu, kemi parë shumë vizita që vijnë të vizitojnë familjarët e tyre. Kemi biseduar me shumë prej tyre jashtë kamerave. Kemi biseduar edhe me banorë të institutit. Ata thonë se trajtohen mirë dhe nuk kanë trajtim të keq, madje thonë që një infermiere nuk mund të bëjë zhbëjë punën e infermiereve të tjera të cilat janë të kujdesshme me ta. Një grua e cila kishte ardhur të vizitonte bashkëshortin e saj, që është i paralizuar dhe qëndron prej 2 muajve në këtë institut thotë se i beson personelit shëndetësor dhe se ai do të vazhdojë të rrijë në këtë institut. E ka pyetur vazhdimisht për trajtimin që i është bërë dhe se nuk ka pasur ankesa. Shumë të moshuar ende vazhdojnë të jenë këtu, nuk është mbyllur instituti. Ka disa që i kanë tërhequr, por nuk mund të them për ndonjë numër të saktë”.
Sa i përket ngjarjes në fjalë, gazetarja tha se autoritetet aktualisht vijojnë hetimet.
“Inspektorati shëndetësor ka qenë dje dhe ka marrë të gjitha dokumentet dhe është duke përgatitur raportin, por ende nuk ka dalë me një raport të saktë se çfarë do të ndodhë, ende janë duke vijuar hetimet, si prokuroria dhe policia e Kosovës. Në orën 13:00 pritet që në qendër të Pejës të ketë një protestë në përkrahje të të moshuarve dhe kundër veprimit të infermiereve në fjalë që vazhdojnë të jenë të ndaluara. Ndërkohë që edhe prokuroria po përgatit kërkesën për paraburgim për të dyshuarat”.
Duke iu referuar dëshmisë së publikuar në disa media në vend, gazetarja Berisha tha se infermierja që dhunoi të moshuarën nuk ka shfaqur pendesë për veprimet e saj.
“Në bazë të asaj që kanë publikuar disa portale, rrëfimin/deklaratën e saj ajo thotë që duhet të jetë dominante në personat e tillë të cilët sipas saj shfaqin agresivitet dhe kjo nënkupton që ajo ka kërkuar falje, por në bazë të deklaratës nuk duket të jetë shumë e penduar, gjithmonë duke i dhënë vetes të drejtë për mënyrën e sjelljes. Duhet sjellë në vëmendje se babai i saj i ka kërkuar organeve të drejtësisë që të merren me rastin dhe që vajza e tij të marrë dënimin e merituar. Ai i ka kërkuar falje familjes së viktimës duke thënë se familja e tij është borxhlie ndaj familjes Nuraj”.
Ndërkohë, Berisha përcolli edhe pak më shumë detaje edhe rreth familjarëve të së moshuarës.
“Pritet të shihet, hetimet janë duke vazhduar për të parë nëse ka pasur dhunë sistematike ndaj të moshuarës. Për këtë vijojnë hetimet dhe nuk mund të themi nëse ka pasur vazhdimisht dhunë edhe më parë apo jo. Sigurisht që vajza e cila ka pasur arsyet e saj që e ka sjellë këtu, për shkak të punës dhe fëmijëve të vegjël nuk ka mundur që të kujdeset për nënën me një sëmundje të tillë, sigurisht që është e shqetësuar dhe ndoshta ka shfaqur dhe pendimin e saj, pse e ka lënë në një institut të tillë sepse nuk mund ta dijë është keqtrajtuar apo jo”./tvklan.al