Presidenti rus, Vladimir Putin, ka mbikëqyrur stërvitjet vjetore bërthamore të forcave strategjike bërthamore të Rusisë, në kohën e rritjes së tensioneve me Perëndimin, pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Raketat balistike dhe ato lundruese janë nisur nga lindja e largët e Rusisë dhe Arktiku, ka thënë Kremlini.
Shtetet e Bashkuara janë njoftuar për këto stërvitje, sipas traktatit për armët, Starti i Ri.
Këto testime janë kryer teksa Rusia ka bërë pretendime të pabazuara se Ukraina është duke planifikuar përdorimin e “bombave ndotëse”.
Bombat ndotëse janë pajisje shpërthyese, të përziera me material radioaktiv.
Perëndimi ka hedhur poshtë akuzat e Rusisë, duke i konsideruar ato të rreme.
Kievi ka thënë se pretendimet e Moskës nënkuptojnë se vetë ajo mund të jetë duke u përgatitur për një sulm të tillë.
Para stërvitjeve, zyrtarët ushtarakë në Uashington kanë thënë se njoftimi i Rusisë te ata, tregon se rusët janë duke zbatuar obligimet sipas traktatit për armët.
Përndryshe, edhe NATO-ja është duke kryer stërvitjet e veta bërthamore në veriperëndim të Evropës.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL