SHABANI: BESOJMË SE MAQEDONASIT DO TË NA KUPTOJNË MIRË
Lëvizja BESA mbetet në qëndrimin se një nga kushtet për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese si parakusht për nisjen e negociatave me BE-në, është heqja e 20% dhe në vend të saj të figurojë gjuha shqipe. Nga Lëvizja Besa shpresojnë se do të kenë mirëkuptim nga maqedonasit, për shkak të situatës dhe ndjeshmërisë me gjuhën maqedonase.
“Ne e kemi theksuar shumë herë nga deputetët tanë në parlament se një nga kushtet e lëvizjes Besa për ndryshime kushtetuese do të jetë tërheqja e 20%, pra nuk është diçka e re, e kemi theksuar shumë herë, çështja e gjuhës është e ndjeshme, sidomos për ne shqiptarët, por edhe për palën maqedonase, dhe mendojmë se kjo çështje duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë, pasi pala maqedonase e kupton ndjeshmërinë shumë më mirë, duke marrë parasysh çështjen aktuale të gjuhën maqedonase dhe mendoj se do të kuptohet më mirë dhe do të zgjidhet çështja e gjuhës shqipe në përputhje me ndryshimet kushtetuese” – tha Arafat Shabani.
Këto komente u bënë gjatë press-konferencës ku Lëvizja Besa u bëri thirrje që për 17 departamentet e tyre të aplikojnë profesionistë të fushave të ndryshme që siç thanë përmes vizionit dhe potencialit të tyre profesional do të ofrohet zgjidhje më e mirë për problemet me të cilat përballet shteti. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Avni Tahiri