Berlusconi thotë se ka këmbyer “letra të ëmbla” me Putinin

Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, ka fituar sërish vëmendje, pas deklaratave se ka rikthyer kontaktet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Agjencia e lajmeve, LaPresse, ka publikuar një incizim të zërit – që duket se është bërë në mënyrë sekrete – derisa Berlusconi ka biseduar me pjesëtarë të partisë, Forza Italia.

Në atë incizim, Berlusconi ka thënë se Putin është në mesin e “pesë shokëve të vërtetë” të tij.

“Kam rikthyer kontaktet me presidentin Putin”, ka thënë ai, duke treguar si Putin ia ka dërguar “20 shishe me vodka dhe një letër shumë të ëmbël”, për ditëlindje.

Berlusconi ka thënë se ai i ka dërguar më pas Putinit shishe me verë italiane dhe një letër “po ashtu të ëmbël”.

Berlusconi ka mbushur 86 vjet më 29 shtator, pasi koalicioni i krahut të djathtë, ku përfshihet edhe partia e tij, Forza Italia, ka fituar zgjedhjet e përgjithshme.

Këto komente fillimisht janë hedhur poshtë si “rrëfime të vjetra” nga besnikët e Berlusconit.

Megjithatë, në incizim, Berlusconi ka thënë se Perëndimi është veçse në luftë me Rusinë, sepse është duke i dhënë “Ukrainës, para dhe armë”.

“Personalisht nuk mund të shpreh mendimin tim për këtë gjë, sepse nëse do ta merrnin vesh mediat, do të bëhej katastrofë, mirëpo unë jam shumë, shumë, shumë i shqetësuar”, ka shtuar ai.

Në mbrëmjen e së martës, Forza Italia ka thënë se pozicioni i Berlusconit ndaj Ukrainës është në linjë me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share