Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se “kërkesat teknike” të ngritura nga disa vende anëtare lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën nuk duhet të ndikojnë në vendimmarrjen politike.
Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimeve që ka zhvilluar me përfaqësuesit e Francës, Suedisë, Holandës dhe Austrisë në Kosovë, për të diskutuar zhvillimet pas takimit të 13 tetorit në grupin punues për vizat të Këshillit Evropian, lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.
Sipas saj, një situatë tjetër përbën diskriminim për qytetarët e Kosovës.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani u ka thënë zyrtarëve evropianë se Kosova do të përfshihet në sistemin ETIAS në momentin që sistemi bëhet operaconal, dhe që kjo gjë nuk duhet të ndikojë në caktimin e datës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizim.
Propozimi për lidhjen e liberalizimit të vizave me sistemin ETIAS besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
Presidenca çeke ka thënë përmes një deklarate se në mënyrë që të ecet përpara në këtë temë, “është e domosdoshme që të qartësohen disa çështje, dhe të vazhdohet me diskutimet”.
Takimi i radhës i këtij grupi pritet të jetë në nëntor të këtij viti.
Si funksionon ETIAS?
ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.
Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.
Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia dhe secili që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartelë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument.
Autorizimi për udhëtim lëshohet shpejt dhe në mënyrë automatike, përveç nëse ka dyshime për të kundërtën.
Dokumenti valid ETIAS më pas rishikohet nga roja kufitare e shtetit, që merr vendimin final për hyrjen potenciale të udhëtarit në një vend të Zonës Schengen.
Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë për Kosovën
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se shtetet anëtare në BE kanë pasur tri lloje të qëndrimeve lidhur me liberalizimin.
“Kemi vende të cilat pa asnjë rezervë e kanë përkrahur liberalizimin e menjëhershëm të vizave për Kosovën, kemi ato shtete, të cilat për arsye të dinamikave politike nuk kanë mundur të japin qëndrimin zyrtar, për shkak se disa sosh janë në mandat teknik të qeverive të tyre, është Italia dhe Suedia, si dhe Danimarka që sapo ka paralajmëruar zgjedhjet e reja. Janë edhe vendet pakicë, të cilat nuk e kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, por dëshirojnë që këtë ta lidhin me disa elemente tjera, të cilat për neve janë kushte të reja, apo kritere të reja. Edhe pse ata pretendojnë se janë vetëm teknikalitete, për ne janë kushte të reja”, ka thënë ai.
Përfaqësues të pushtetit dhe opozitës në Kosovë kanë reaguar të premten ndaj kushteve të reja për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Deputetë nga parti të ndryshme kanë thënë se ky lajm përbën padrejtësi për qytetarët e Kosovës.
“Diskutimet do të vazhdojnë”
Ministri çek i Punëve të Brendshme, Vit Rakushan, ka thënë të premten në Luksemburg se “me sa di, shumica e vendeve të BE-së tashmë janë në favor të liberalizimit të vizave”.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë diskutimet e brendshme në vendet anëtare dhe ai nuk mund të japë afate kohore se kur mund të përfundojnë ato.
Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018.
Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.
Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka ende regjimin e vizave.