Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar një takim online me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali.
Në fjalën e tij në këtë foltore, Berisha vlerësoi Italinë për solidaritetin që ka treguar vazhdimisht me emigrantët shqiptarë aty dhe që ka mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian.
Sot shumë shqiptarë në Itali drejtojnë biznese të ndryshme falë aftësisë që kanë marrë nga kultura italiane, theksoi Sali Berisha.
“Në një bashkëbisedim me ju përfaqësues të shkëlqyer të emigracionit tonë, në prag të një ngjarje të madhe të Italisë, rikthimit të koalicionit të djathtë në pushtet, që ka një rëndësi të madhe për rajonin dhe Europën.
I shpreh një mirënjohje të thellë qeverisë dhe kombit italian për solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë treguar për Shqipërinë dhe shqiptarët në këto dekadat e fundit.
Ndihmat e mëdha të këtij vendi mik kanë pasur një rol mjaft të rëndësishëm në ecjen e Shqipërisë në rrugën e tregut dhe të demokracisë.
Nuk ka asnjë vend tjetër në të cilën emigracioni shqiptar të ketë arritur në një kohë të shkurtër sukseset e mëdha që kanë arritur emigrantët në Itali. Sot janë dhjetëra mijëra biznese të suksesshme, të vogla, të mesme e të mëdha që drejtohen nga shqiptarët.
Janë dhjetëra mijëra studentë që studiojnë në universitet e Italisë. Sot janë dhjetëra mijëra shqiptarë që janë në Shqipëri dhe investojnë pasi kanë krijuar disa kapitale dhe kanë marrë njohuritë për bizneset. Italia dhe Shqipëria kanë një lidhje miqësore shumë të ngushtë, por siç thotë Adam Smith, që pasuria përhapet, e vërteta është se nëse është përhapur diçka me më shpejtësi në Shqipëri është biznesi, kultura italiane në të gjitha fushat”, u shpreh Sali Berisha.
Kryedemokrati vlerësoi edhe rolin e Anti-Mafias italiane për goditjen e krimit të organizuar në dy anët e Adriatikut.
“Italia jep një kontribut në luftën ndaj krimit të organizuar në të dy anët e Adriatikut. Antimafia italiane ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në betejën kundër mafias shqiptare. Po të mos ishte antimafia italiane, Saimir skafisti do të ishte mbi zv/kryeministër të paktën. Ne ju jemi mirënjohës sepse ata bëjnë një luftë kundër organizatave kriminale që dëmtojnë interesat e qytetarëve italianë dhe shqiptarë”. /tvklan.al