Vuçiqi i dorëzon Kuvendit të Serbisë raportin për dialogun me Kosovën

Në seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Serbisë, në rend dite është procesi i negociatave me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Pika e vetme e rendit të ditës në këtë seancë është raporti për negociatat e mbajtura përgjatë një viti.

Bëhet fjalë për raportin e Qeverisë së Serbisë për rrjedhën e procesit të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nga 15 qershori i vitit 2021 deri më 1 shtator të vitit 2022.

Ligjvënësve u është drejtuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Kur diçka është e dhimbshme për kombin, atëherë duhet të ketë qasje me përgjegjësi… Të paktën për këtë çështje të vetme t’i tejkalojmë dallimet partiake dhe interesat partikulare”, tha Vuçiq në fillim të fjalimit të tij, duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Serbisë.

Ai theksoi se Kuvendi është “vendi i duhur ku mund të diskutohet thellësisht për çështjen e Kosovës”.

Vuçiq, gjithashtu, tha se duhet bërë dallimin mes “realitetit dhe mundësisë, kapacitetit për të luftuar si shtet dhe komb për atë që themi se është më e rëndësishme për ne”, duke shtuar se “politika reale nuk mund të mbështetet në mite dhe fantazmagori”.

Siç tha ai, detyra jonë është që në Kosovë “të gjejmë jetë për serbët dhe asgjë më pak jetë për shqiptarët” dhe se kjo është “e vështirë”.

Vuçiq merr pjesë në dialogun e nivelit të lartë në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Serbia dhe Kosova po zhvillojnë një dialog për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). Ky proces duhet të nxjerrë si rezultat një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Në seancën e Kuvendit të Serbisë janë të pranishëm edhe anëtarët e Listës Serbe – partia e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit – kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe përfaqësuesit e serbëve në Kuvendin e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 10 shtator në një konferencë për media ka njoftuar se do t’u përgjigjet vetë pyetjeve të deputetëve, pasi që Qeveria e Serbisë ende nuk është formuar.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi u mbajtën më 3 prill dhe ish-kryeministrja Ana Bërnabiq, më 27 gusht, mori një mandat të ri nga presidenti i Serbisë për formimin e Qeverisë.

Presidenti i Serbisë ditë më parë tha se nuk do të ketë njohje të Kosovës.

“Gjithmonë i gatshëm për zgjidhje kompromisi, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram më 9 shtator.

Seancën për Kosovën e kërkuan grupet e caktuara opozitare në Kuvendin e Serbisë – Dveri, Partia Popullore, koalicioni Shpresa (Nada).

Më 6 shtator, Partia Popullore paraqiti në Kuvend propozimin e saj për rezolutën për Kosovën dhe tri ditë më vonë të njëjtën gjë e bëri edhe lëvizja e djathtë, Dveri.

Në dokumentin e Partisë Popullore, lider i së cilës është ish-shefi i diplomacisë, Vuk Jeremiq, thuhet se Serbia nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Gjithashtu, propozohet që në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë të paraqitet një propozim për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut të Brukselit.

Parakusht për vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën, sipas Partisë Popullore, është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit.

Escobar: Asociacioni nuk duhet të jetë shtet brenda shtetit
Rezoluta e propozuar nga Dveri thotë se askush që mban poste publike nuk ka të drejtë të nënshkruajë një dokument obligues për pavarësinë e Kosovës.

Dveri në këtë dokument thekson se Kosova aktualisht është “nën okupim”.

Gjithashtu, kërkohet që Qeveria e Serbisë të marrë përsipër ndërprerjen e komunikimit dhe negociatave me Prishtinën, si dhe anulimin e marrëveshjeve të arritura. Propozohet kalimi i negociatave nga Brukseli në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Dveri sugjeron që Qeveria e Serbisë të kërkojë ndihmën dhe mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën.

Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Deri më tani janë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica nuk janë zbatuar.

Beogradi insiston që të zbatohet marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën të dyja palët e nënshkruan në prill të vitit 2013 dhe e cila nuk është zbatuar deri më tani.

Për autoritetet e Kosovës, lidhur me themelimin e Asociacionit, problem paraqet çështja e kompetencave të saj. Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se parimet e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit nuk janë në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share